Strukturë mbështetëse me 100 shtretër

Rritja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor ka sjellë ezaurimin e të gjitha kapaciteteve në 3 spitalet Covid. Kjo ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të hapë spitalin Covid 4, i cili sipas Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do të funksionojë si një strukturë mbështetëse për spitalet e tjera Covid.

“Ne e kishim bërë pjesë të strategjisë tonë përfshirjen e 4 spitaleve. Kjo erdhi si pasojë e rritjes së numrit  të pacientëve dhe plotësimit  të kapaciteteve në spitalet e para Covid. 100 shtretër ka ky spital dhe nuk është në korpusin tipik të spitaleve tona. Për këtë është dhe një angazhim më shumë. Jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe 24 orët e  fundit kanë qenë intensive në pritje të pacientëve”.

Për të përballuar periudhën e dimrit, në strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë janë edhe spitalet rajonalë.

“Do të bëjmë dhe një hap në jetësimin e Covid 4. Patjetër që do të përgatitemi dhe për skenarë të tjerë për atë çfarë kemi thënë për të lehtësuar të gjithë sistemin shëndetësor, por edhe për t’u shërbyer qytetarëve kudo ku janë”.

Në spitalin Covid 4 janë shtruar edhe pacientët e parë të cilët kanë kaluar fazën e rëndë të gjendjes shëndetësore në dy spitalet Covid.

Tv Klan