Hetimet e nisura që në vitin 2019 u mbyllën me sukses nga autoritetet policore në Tiranë, në një operacion të quajtur “Waiting”. Në fokus ishte goditja e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit. Kështu, në pranga përfundoi një 39-vjeçar, për të cilin Policia e Tiranës thotë se është me precedentë të theksuar kriminalë.

“Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të nisur në vitin 2019 është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe të ndalohet A.M. (alias A. U.,) 39 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të personave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”, thuhet në njoftimin për mediat të policisë.

I arrestuari mësohet se shfrytëzonte për prostitucion një 22-vjeçare, të cilën po përgatitej për ta trafikuar drejt Belgjikës. Gjatë kontrollit 39-vjeçarit iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike, 1 aparat celular dhe një dokument i dyshuar i falsifikuar. Policia thotë gjithashtu se gjatë shoqërimit për në Komisariat, ai ka kundërshtuar me dhunë efektivët.

Për rastin në fjalë autoritetet policore proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe një 21-vjeçare, e cila akuzohet për moskallëzim krimi./tvklan.al