Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nisi turin e tij katër-ditor në Arabinë Saudite, ku në fokus janë marrëveshjet ekonomike.

Ai u prit me ceremoni madhështore në Riad.

Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, e përshëndeti ngrohtësisht Trump, ndërsa ai zbriti nga avioni Air Force One në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid.

Autokolona e Trump u shoqërua drejt oborrit nga një flotë kuajsh që mbanin flamuj amerikanë dhe sauditë. Të dy udhëheqësit më pas u drejtuan për në sallën e madhe në aeroportin e Riadit, ku Trumpit dhe ndihmësve të tij iu shërbye kafe tradicionale arabe. Presidentit amerikan iu bashkuan zyrtarë të lartë amerikanë si Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Sekretari i Energjisë Chris Wright.

I pranishëm ishte edhe miliarderi Elon Musk, Drejtori Ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, Drejtori Ekzekutiv i Blackrock, Larry Fink dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Trump do të vazhdojë udhëtimin nga Riadi, për në Katar të mërkurën dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten.

Arabia Saudite ka premtuar 600 miliardë Dollarë investime, por Trump ka thënë se dëshiron 1 trilion Dollarë nga mbretëria, një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Uashingtonit.

Para vizitës, SHBA-të njoftuan një shitje armësh me vlerë mbi 1.4 miliardë Dollarë për Emiratet e Bashkuara Arabe për të cilën Departamenti i Shtetit tha se është miratuar.

Klan News