Analistët: Fitoren e Listës Serbe dhe vazhdimin e dialogut

Serbia pret dy gjëra nga zgjedhjet e Kosovës: fitoren e Listës Serbe dhe vazhdimin e bisedimeve. Por rrethanat e reja të krijuara pas letrës së presidentit Joe Biden dhe qëndrimeve në fushatë të politikës në Kosovë, nuk i japin shumë shpresë serbëve për marrëveshje në dialog.

Stefan Surllic, nga Fakulteti i Shkencave politike në Beograd, thotë se bisedimet do të kenë gjithsesi një rrugë të vështirë. Por, pritet të paktën zhbllokimi i dialogut.

“Mendoj se pritjet për ndryshime drastike janë joreale, sidomos kur flitet për fitoren e Biden. Sigurisht që SHBA dhe BE-ja do të jenë më të bashkuara, por marrëveshja nuk do të ndodh pa gatishmërinë e të dyja palëve. Deklarimet nga Kosova nuk kanë qenë shumë shpresë dhënëse”.  

Stefan Gajic thotë se dialogu nuk ka pasur idenë të zgjidh problemet, pasi siç mendon ai, ka qenë një teatër i dakorduar me shumë konflikte.  Ai thotë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejt, por procesi mund të përshpejtohet.

“Politika e vjetër do të ndryshoj dhe mundësia e ndryshimit të pushtetit në Kosovë është një segment i rëndësishëm. Shihet nga fakti se sa dobët dhe pak flitet në lajmet e Serbisë se sa e dhimbshme është kjo për Vuçiçin”.  

Serbët e shpërngulur nga Kosova kanë pasur mundësinë të votojnë, përmes postës, brenda Serbisë dhe votat më pas do të dërgohen për numërim në Prishtinë.  

Tv Klan