” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.
Banka e Shqipërisë: Në 3 muaj shqiptarët morën 96.8 MDL lekë hua
Fillimi i vitit 2025: Kërkesa e lartë për prona me kredi
Fillimi i këtij viti ka qenë i vrullshëm për tregun e pasurive të paluajtshme, veçanërisht për shkak të rritjes së kreditimit. Kështu ka deklaruar Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të paluajtshme në emisionin Pro Business në Tv Klan teksa analizon tendencat e fundit. “Pronat që përdoren si kolateral janë ato që shiten më shumë,” vëren Demirxhiu. “Në vitin 2024, procesi i rivlerësimit ka shkaktuar ngërç në treg, por kreditimi i butë nga bankat ka mbështetur blerjet.” Tregu po vëren një rritje të kërkesave nga çiftet e reja që blejnë banesa me kredi, si dhe të individëve që kërkojnë pronë të dytë ose të tretë. “Shohim çdo ditë njerëz që vijnë për të blerë me kredi, nga ata që kërkojnë strehim të parë deri te investitorët,” thotë Demirxhiu. Një nga problemet kryesore ka qenë vështirësia në marrjen e kredive për pronat në ndërtim. “Tani, bankat dhe ndërtuesit kanë gjetur një zgjidhje: pronat mund të hipotekohen që në fazën e karabinës, duke lejuar blerjen edhe për banorët që nuk kanë kapital fillestar,” shpjegon eksperti. Demirxhiu është i qartë për tregun e Tiranës: “Çmimet do të rriten gjithmonë. Nuk ka kuptim të presësh, sepse sa më vonë të blesh, aq më shtrenjtë do të jetë. Në shumë raste, kësti mujor i kredisë është njësoj si qiraja, kështu që blerja është zgjedhja më e mirë.” Investitorët po ndjekin dy strategji kryesore:Blerja “në gropë” përfitimi nga çmimet më të ulëta dhe rishitja pas përfundimit. Blerja e apartamenteve të gatshme për ata që nuk duan të presin dhe të paguajnë njëkohësisht qira dhe kredi. “Zonat më të preferuara mbeten ato qendrore, por shumë qytetarë blejnë aty ku çmimet janë më të arritshme,” thotë Demirxhiu. Paskuqani, “5 Maji” dhe zonat e reja në zhvillim po tërheqin blerës për shkak të çmimeve më të përballueshme. Çmimet në zonat periferike si “5 Maji” dhe Paskuqani kanë pësuar rritje të dukshme. “Në fillim gjenim banesa me 1200-1300 €/m², sot kemi arritur në 1400-1500 €/m² ose më shumë,” vëren Demirxhiu
Rritja e kreditimit në Shqipëri: Investime apo konsum? Analiza e Selami Xhepës
Në tremujorin e parë të 2024, sistemi bankar shqiptar ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të kërkesave për kredi, me 140 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave bankare, bizneset kanë kërkuar fonde kryesisht për likuiditet dhe investime, ndërsa qytetarët kanë drejtuar kreditë kryesisht për blerje banesash dhe nevoja konsumatore. Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë thekson në emisionin Pro Business në Tv Klan se stabilizimi i inflacionit ka sjellë një normalizim të politikës monetare: “Pas një periudhe me norma interesi shumë të larta (deri në 8.7% inflacion), tani vërejmë një rënie të qartë të normave, gjë që ka lehtësuar kreditimin. Zgjerimi me rreth 180 milionë euro që nga dhjetori 2023 është një tregues pozitiv, por e rëndësishme është që kjo rritje të përkthehet në investime dhe aktivitete prodhuese.” Xhepa vë në dukje një çështje thelbësore të ekonomisë shqiptare: shpërndarjen e kredive në sektorë. “Pothuajse 30% e kredive korporatave shkojnë për tregti, një aktivitet me vlerë të shtuar të ulët, ndërsa vetëm 15-16% financojnë industrinë prodhuese. Ky është një problem serioz që kërkon rishikim.” Një tjetër shqetësim është ekspozimi i lartë ndaj tregut të pasurive të paluajtshme, me rreth 1.9 miliardë euro kredi të lidhura me këtë sektor. “Ky është një nivel i konsiderueshëm që mund të sjellë rreziqe nëse tregu i pasurive të paluajtshme përjeton një rënie,” paralajmëron Xhepa. Tek familjarët, pjesa më e madhe e kredive shkon për blerje banesash. Megjithatë, Xhepa vëren një trend shqetësues: “Konsumatorët marrin dyfish më shumë kredi për pushime dhe shpenzime të përditshme sesa për shtëpi (si mobilje ose makina). Kjo tregon një kulturë të shpenzimeve afatshkurtra, ndërsa ne kemi nevojë për investime afatgjata që të përmirësojmë standardin e jetesës.” Politikat monetare të Bankës së Shqipërisë janë fokusuar në stimulimin e kreditimit përmes uljes së normave të interesit. Megjithatë, Xhepa sqaron se ka një balancim delikat: “Nga njëra anë, BSH dëshiron ta bëjë kredinë më të lirë për të nxitur rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, ajo po shtrëngon rregullat për kreditë e pasurive të paluajtshme për të shmangur rreziqet e stabilitetit financiar.” Një nga problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, sipas Xhepës, është varësia e tepërt nga sistemi bankar: “Shqipëria nuk ka treg kapitulli të zhvilluar, ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë më shumë burime financimi. Kjo na bën më të dobët ndaj krizave dhe kufizon mundësitë e rritjes.” Për të përballuar këto sfida, Xhepa thekson nevojën për reforma strukturore: “Rritja ekonomike prej nën 4% është shumë e dobët për një vend si Shqipëria. Duhet të stimulojmë investimet në sektorë prodhues, të diversifikojmë burimet e financimit dhe të ndryshojmë mentalitetin nga konsumi drejt investimeve afatgjata.”