” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.
Post – Zgjedhjet Sfidat Ekonomike në 4 vitet e ardhshme
Në emisionin “Pro Business” në TV Klan, Selim Blliku, ekspert i çështjeve ekonomike diskutoi sfidat kryesore që do të përballojë Shqipëria në 4 vitet e ardhshme, veçanërisht në kontekstin e integrimit në Bashkimin Europian.
Blliku theksoi se ekonomia shqiptare është shumë e fokusuar në disa sektorë, kryesisht turizmin dhe ndërtimin, të cilët kanë kontribuar në një rritje prej mbi 3.4%.
Megjithatë, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, është e nevojshme diversifikim i shpejtë. Kompanitë shqiptare duhet të zgjasin kapacitetet e tyre, të diversifikojnë produktet dhe shërbimet, dhe të përshtaten me kërkesat e tregut europian.
Një nga fushat me potencial të papërdorur është bujqësia, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë vendase. Blliku sugjeroi që ky sektor të lidhet më shumë me agroprocesimin, duke i dhënë një vlerë shtesë prodhimeve bujqësore. Në vend që të mbështetemi vetëm në turizmin dhe ndërtimin, duhet të investohet në sektorë të rinj për të balancuar rritjen ekonomike.
Një nga sfidat më të mëdha për bizneset, veçanërisht ato të vogla, janë ndryshimet tatimore. Blliku theksoi se çdo reformë duhet të jetë e studiuar dhe të mos zbatohet në mënyrë të nxituar.
“Nëse do të ketë ndryshime, bizneset duhet t’u jepet koha e nevojshme për t’u përshtatur,” tha ai.
Norma tatimore, qoftë 5%, 7% apo më shumë, duhet të jetë e arsyeshme dhe të mos rrezikojë ekzistencën e bizneseve. Stabiliteti politik është një faktor kyç për klimën e biznesit. Blliku vuri në dukje se një qeveri e qëndrueshme mund të sigurojë vazhdimësi në politikat ekonomike, duke dhënë besim investitorëve.
Një problem i madh i ekonomisë shqiptare është varësia e lartë nga importet ndërsa prodhimi vendor mbetet i dobët.
“Ne po blejmë nga të tjerët sepse ata e bëjnë më mirë,” tha Blliku.
Sfidat kryesore për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme përfshijnë diversifikimin ekonomik, forcuar e prodhimit vendor, reforma të qëndrueshme tatimore dhe ligjore, si dhe përgatitjen për konkurrencën e tregut europian. Një qasje e balancuar dhe e planifikuar do të ishte kyçi për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Integrimi Europian si Katalizator: Si të Ndërtojmë një ekonomi konkurruese?
Në emisionin “Pro Business” në Tv Klan, sipërmarrësi i njohur Bujar Zhuri foli me theks për sfidat dhe mundësitë e ekonomisë shqiptare në procesin e integrimit europian. Diskutimi u fokusua në disa aspekte kryesore që përcaktojnë të ardhmen ekonomike të vendit tonë.
Zhuri vuri në dukje se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku partneriteti me Bashkimin Europian po e bën vendin tonë gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj.
“Partneriteti me BE po transformon Shqipërinë në një magnet për investime të huaja, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe prodhimit,” theksoi Zhuri.
Duke u referuar periudhës post-zgjedhore, sipërmarrësi e shikonte këtë moment si një shans historik për vendin tonë.
“Pas mbylljes së zgjedhjeve, Shqipëria ka mundësinë të ndërtojë strategji më agresive për tërheqjen e investimeve të huaja,” shprehu ai.
Një nga idetë që propozoi ishte krijimi i një regjimi taksor më konkurrues, duke marrë si shembuj vende si Malta dhe Qipro, ku kompanitë ndërkombëtare gjejnë kushte taksimi të favorshme për vendosjen e selive të tyre.
Zhuri vuri një theks të veçantë në lidhjen organike ndërmjet turizmit dhe bujqësisë. Sipas tij, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një qasje të integruar.
“Zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me përmirësimin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore,” argumentoi ai.
Kjo qasje do të mundësonte reduktimin e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas, duke siguruar që të ardhurat të qëndrojnë brenda vendit dhe të përfitonin qytetarët dhe bizneset shqiptare. Një nga vërejtjet më të rëndësishme të Zhurit ishte mungesa e fuqisë së pushtetit lokal.
“Pa fuqizimin e pushtetit lokal, Shqipëria nuk do t’i afrohet modeleve evropiane,” paralajmëroi ai.
Zhuri argumentoi se bashkitë duhet të kenë më shumë autonomi për të menaxhuar burimet dhe për të tërhequr investime të huaja pa varësi të qeverisë qendrore, duke marrë si model vendet skandinave ku decentralizimi ka dhënë rezultate të shkëlqyera.
Sektorët potencialë për investimet e huaja
Eventi “Match Maker Albania 2025” u shndërrua në një nga ngjarjet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke bashkuar investitorë të huaj me biznese lokale, veçanërisht eksportues.
Marios Belibassakis, drejtor i Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare të Ambasadës Greke, vlerësoi klimën e biznesit në Shqipëri si gjithnjë e më të favorshme, duke theksuar se përmirësimet në mjedisin investues janë një faktor kyç që tërheq kompani të mëdha ndërkombëtare.
Në intervistën për “Pro Business” në Tv Klan ai identifikoi katër sektorë prioritarë për investitorët grekë: energjia e rinovueshme, materialet e ndërtimit, ndërtimi dhe turizmi, duke përmendur edhe rastet e kompanive greke që kanë zgjeruar aktivitetin në Shqipëri për shkak të kërkesës në rritje të tregut.
Nga ana e tyre, investitorët turq, të përfaqësuar nga Muhammet Işler, kryetari i MÜSİAD Shqipëri, shprehën interes të fortë për sektorët e turizmit, mjekësisë dhe bujqësisë, duke parashikuar projekte të mëdha në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, prodhuesit shqiptarë theksuan se cilësia, transparenca dhe gjurmueshmëria e produkteve janë faktorë vendimtarë për konkurrencën në tregjet europiane. Sipas tyre, përmirësimi i standardeve dhe reformat e vazhdueshme janë thelbësore për një integrim të suksesshëm në ekonomi globale.