” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Klan Plus.
400 milionë Euro mbështetje për bizneset e vogla dhe fermerët
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pro Business” me gazetaren Oljana Maloku në TV Klan, Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e shoqatës “Mikrofinanca Shqiptare”, theksoi ndikimin pozitiv të 400 milionë Euro në sektorin e mikrofinancës, të shpërndarë nëpër biznese të vogla, fermerë dhe individë me kredi mesatare prej 850 Euro.
Mikrofinanca po punon për të ngushtuar hendekun gjinor, duke ofruar mundësi të barabarta për gratë në biznes.
“Gratë janë ripaguese më të mira të kredive dhe kanë cilësi më të lartë kredidhënieje”, vuri në dukje Isaj.
Pavarësisht nga krizat, këto segmente kanë treguar kthyeshmëri të shëndetshme (4-4.5%), ndërsa mikrofinanca kërkon një kuadër ligjor më të qartë për trajtimin e kredive me probleme.
Isaj më tej tregoi sfidat me të cilat hasen bizneset dhe fermerët. Sipas saj 30% e familjeve me të ardhura të ulëta rrezikojnë të humbasin aksesin në kredi për shkak të rregullave të reja. Kurse 70% e bizneseve ende luftojnë për financim bankar. Nga ana tjetër bujqësia ka nevojë jo vetëm për fonde, por edhe për asistencë teknike dhe ndërmjetësim në treg.
Mikrofinanca parashikon ulje të normave të interesit dhe kërkon qasje në skemat e garancive sovrane për të lehtësuar kreditimin dhe po ashtu ngre nevojën për një kuadër ligjor për trajtimin e kredive me probleme.
“Tregu ka vend për të gjithë, por nevojitet bashkëpunim më i ngushtë ndërinstitucional”, theksoi Isaj.
Fondet e BE-së për bizneset shqiptare, ja kush mund të përfitojë
Eksperti i fondeve europiane, Ergis Sefa shpjegon në emisionin “Pro Business” në Tv Klan se si të kapim rreth 922 milionë Euro në 3 vitet e ardhshme dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përfituar maksimalisht.
Sefa thekson se vendi ynë është në një fazë strategjike për të hyrë në tregjet e financimeve alternative, falë procesit të integrimit europian.
“Procesi i integrimit po rrit besueshmërinë ndaj investitorëve të huaj”, thotë ai.
Nga studioja e “Pro Business”, eksperti i fondeve evropiane, Ergis Sefa renditi të pengesat që mund të hasen për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian. Në radhë të parë ai renditi mungesën e njohurive për financimet alternative në bizneset shqiptare.
Kapacitete e kufizuara profesionale për hartimin e projekteve konkurruese, Sefa i cilësoi gjithashtu si një pengesë tjetër. Në vend të tretë eksperti i fondeve evropiane renditi procedurat komplekse të cilat pengojnë përthithjen e fondeve.
Ergis Sefa tregoi për publikun dhe kategorinë përfituese nga fondet e Bashkimit Europian. Bizneset me 2-3 vjet përvojë që duan të zgjerohen janë përfitues. Gjithashtu aktorët e prioritetit ku përfshihet energjia e rinovueshme, digjitalizim, turizmi i qëndrueshëm, prodhimi dhe manifaktura.
“Start-up-et ose individët me ide janë përjashtuar nga këto programe”, sqaron Sefa.
Ndërsa Shqipëria ka stabilitet makroekonomik (rritje 3.5-3.8%), përthithja e fondeve mbetet e ulët për shkak të mungesës së ekspertizës në bizneset e vogla dhe dobësisë administrative në sektorin publik.
Në fund Ergis Sefa pati një mesazh për të gjitha bizneset.
“Mos u dorëzoni pas refuzimit të parë! Aplikoni përsëri dhe përdorni mundësinë e financimeve europiane”, th ai.
/tvklan.al