Premtojnë se do të përshpejtojnë negociatat për në BE

Kreu i koalicionit pro-serb që pritet të qeverisë Malin e Zi, pasi ka siguruar 41 votat përmes bashkëpunimit me dy partitë pro-europiane, premton se vendi nuk do ta ndryshojë kursin drejt Bashkimit Europian. Madje Zdravko Krivokapiç, thotë në një intervistë për të përditshmen malazeze Dan, se anëtarësimi në BE do të jetë prioritet i qeverisë së re.

“Pranimi i Malit të Zi në Bashkimin Europian mbetet në krye të listës së përparësive. Partnerët tanë ndërkombëtare duhet të jenë të sigurt se nuk do të ketë kthesa që rrezikojnë pozicionin e Malit të Zi dhe stabilitetin rajonal”.

Krivokapiç u le të hapur derën e koalicionit deputetëve të pakicave etnike, përfshirë dy deputetëve shqiptarë. Ai paralajmëroi rishikimin e ligjit që shtetëzon pronat e kishës serbe, që shkaktoi protesta masive popullore gjatë këtij viti dhe që u bë shkak për mobilizimin e serbëve që jetojnë në Malin e Zi për të rrëzuar nga pushteti Milo Gjukanoviçin pas 31 vitesh.

Thirrje për përfshirje në koalicionin e ri qeverisës, deputetëve shqiptarë ua bëri edhe Dritan Abazoviç, i cili kryeson njërin nga 3 grupimet që do të formojnë qeverinë e re. Në një intervistë për të njëjtën të përditshme, ai thotë se ka pasur edhe bisedime me deputetët e të njëjtit komunitet, të cilit i përket edhe ai. Edhe pse bisedimet nuk kanë pasur rezultate, Abazoviç thotë se asgjë nuk është e pamundur.

Tv Klan