Kreu i Kadastrës Artan Lame thotë se merr vazhdimisht kërcënime nga më të ndryshmet. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lame është shprehur se kushdo që merret me çështjet e pronave, has në kërcënime të ndryshme.

Ai vetë personalisht ka marrë kërcënime që nga qytetarët e thjeshtë të cilët zvarriten prej vitesh në procese gjyqësore, e deri tek kërcënimet serioze. Këto kërcënime, Lame thotë se i ka referuar në organet ligjzbatuese.

“Ka ndonjë shqiptar që ka të bëjë me pronat dhe nuk është kërcënuar ndonjëherë? Ka patur kërcënime të të gjitha llojeve. Vijnë që nga më të ulëtat, nga masa e njerëzve që iu ka ardhur në majë të hundës dhe deri te kërcënimet serioze që unë i kam referuar aty ku duhet, tek organet ligjzbatuese”, është shprehur Artan Lame.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ruhet nga policia, Lame e mohoi një fakt të tillë.

Sa i përket drejtorëve të Kadastrës në qarqe nëse janë kërcënuar, Artan Lame u shpreh: “Bëra një kërkim tek drejtorët e mi, nuk më rezulton asnjë nga drejtorët aktualë të jenë nën mbrojtjen e policisë”. /tvklan.al