Lenjani dhe Kamberi presin lejen, mungon Broja

Kombëtarja do të nisë të hënën përgatitjet për 2 ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, ndaj Bjellorusisë më 4 shtator në Minks dhe me Lituaninë më 7 shtator në Tiranë.

Por problemet kanë filluar para nisjes së grumbullimit. Masat kufizuese të Covid-19 po pengojnë Ermir Lenjanin dhe Florian Kamberin të dalin jashtë kufijve të Zvicrës.

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se po bën përpjekje që këta lojtarë të jenë në dispozicion në trajnerit Edoardo Reja dhe ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga autoritetet zvicerane.

Për Bjellorusinë nuk do të jetë i gatshëm Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U19.

Marash Kumbulla do t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Pas rezultateve do të merret një vendim, nëse mbrojtësi do të jetë i dispozicion ose jo për dy ndeshjet e radhës.

Në listë është shtuar edhe Endri Çekiçi. Trajneri Reja vendosi të ftojë sulmuesin pogradecar për ta pasur gati në rast të ndonjë mungese.

Tv Klan