Prej ditës së djeshme shumë qytete në Veri dhe Verilindje të vendit janë përfshirë nga reshje dëbore dhe stuhi ere që kanë sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve, por dhe në furnizimin me energji elektrike.

Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim për mediat sqaron se në rajonin Jugor ka përmirësim të situatës dhe kontraktorët kanë bërë pastrimin e plotë të akseve dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

Ndërkohë në rajonin qendror nuk ka probleme me qarkullimin. Rekomandohet që përdoruesit e mjeteve që kalojnë në segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik të pajisen me goma dimri ose zinxhirë.

Po ashtu në vajonin Verior reshjet kanë vazhduar me intensitet të lartë shoqëruar dhe me erë të fortë dhe ka probleme në qarkullimin e mjeteve.

Qarkullohet me zinxhirë në: Peshkopi-Ushtelencë, Peshkopi-Qafë Drajë, Urë Çerenecit-Klenjë, Trebisht-Doganë, Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Qafë Mali- Fierzë, Qafë Bualli-Bulqizë-Peshkopi.

ARRSH u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregohen të kujdesshëm, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në akset ku është e nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën./tvklan.al