Ndonëse ndodhemi në pikën e sezonit turistik, në Velipojë ende ka probleme me vrojtuesit dhe shfrytëzuesit e zonës së plazhit. Problematikat u evidentuan gjatë takimit të Task Forcës për turizmin.

“Sipas rezultateve të Task Forcës në zonën e Velipojës, nga 29 subjekte të monitoruara, asnjë nuk ka kontratë për shfrytëzimin e zonës së plazhit. Vetëm 17 janë të regjistruar në zyrën e tatimeve. Me pika vrojtimi janë vetëm 10 prej tyre, pra i kemi pikat e vrojtimit, por me vrojtues të certifikuar kemi vetëm 3. Pra jemi disafish më pak edhe se një vit më parë. Duhet të përfundojë në mënyrë urgjente lidhja e kontratave me subjektet private dhe dhënia e tyre me qira në zbatim të VMK-se për Stacionet e Plazhit. Duhet siguruar qetësi, siguri dhe shërbime cilësore në çdo cm plazh të Velipojës”, tha Ministri Blendi Klosi.

E teksa kërkoi më shumë bashkëpunim mes institucioneve, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se Task Forca do të zhvillojë mbledhje të përjavshme koordinuese deri në përfundimin e sezonit turistik.

“Komiteti do jetë i fokusuar gjatë gjithë kohës pavarësisht nga detyrat funksionale që ne si ministra kemi në zonën tuaj. Çfarë është më e rëndësishmja ne do kemi një mbledhje të përjavshme me të gjithë strukturat deri në përfundim të sezonit dhe do vlerësoja shumë që secili prej jush të qëndronte në kontakt të vazhdueshëm, si me mua dhe me ministrin Cakaj dhe për t’u ndihmuar dhe facilituar në proceset e mëtejshme.”

Sipas Ballukut , institucionet vendore dhe bizneset private duhet të fokusohen tek sezoni turistik për të patur një vit më të suksesshëm si ai i 2018.

Tv Klan