Kryeministri Edi Rama ishte këtë të mërkurë në Univesitetin Bujqësor të Tiranës ku ka folur për të ardhmen e prodhimit vendas. Kreu i qeverisë ka thënë se me skemën kombëtare të prodhimit vendas  do të hyhet në një  fazë të re. Sipas tij, kjo do të hapë një kapitull të ri të  marrëdhënieve mes universitetit dhe prodhuesve bujqësorë.  Në këtë mënyrë 1800 fermerëve do t’u jepen trajnime me specialistë të teknologjisë së fundit, ku përfshihen praktikat e reja në ndihmë të punës së tyre.

Kryeministri gjithashtu ka folur për Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke mos humbur rastin të bëjë thirrje për të rinjtë që do të fillojnë studimet të mos “dynden” të gjithë te juridiku, pasi juristët nuk zgjidhin dot problemet e ushqimit. Ai është shprehur se është budallallëk të mendosh se studimet në universitetin bujqësor nuk kanë perspektivë. Universiteti Bujqësor i Tiranës, sipas kryeministrit shumë shpejt do të përballet me kërkesa shumë të larta për të studiuar aty, pasi është një universitet që nuk të vlen vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës.

Kryeministri Edi Rama: Ideja se po të vish të studiosh  këtu nuk ke perspektivë, e kundërta është e vërtetë. Sa më shumë të kalojnë vitet. Shikoni kohën, se si po vjen aq më shumë do të vlerësohen njerëzit që kanë dije për ushqimin, për prodhimin, për përpunimin e ushqimit, për mjedisin, për ujërat, për burimet. Pra në këtë territor, po ju them, në këtë territor do të vijë dita që kërkesat do të jenë të papërballueshme për të hyrë këtu. Sepse nuk do  të zgjidhen problemet e ushqimit dhe të klimës me juristë dhe besoj se do vijë, Inshallah më shpejtë se vonë, momenti që shumëkush do e kuptojë që është ‘e humbur’ rruga duke u turrur të gjithë te juridiku. Këtu në këtë universitet, kush investon sot në dije, i jep vetes mundësinë që jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës të jetë i vlefshëm, për të gjithë pjesën tjetër të jetës. Bota nuk po shkon drejt lehtësimit, por drejt dhimbjeve. Lehtësimi do vijë më vonë./tvklan.al