Specialistët: Rreth 3 në 1000 fëmijë lindin me çrregullime në dëgjim

Rreth 3 në 1000 fëmijë lindin me humbje apo me çrregullime në dëgjim. Sipas specialistëve pothuajse 60% e humbjes së dëgjimit mund të parandalohet, nëse kryhen kontrollet. Problem mbetet edhe arsimimi i kësaj kategorie në shkollën specifike.

“Prindërve u mungon informacioni i duhur dhe pa përjashtuar paragjykimin. Ka edhe një të vërtetë, prindërit i atashojnë në shkollat normale në qytetet ku ata banojnë”.

Në vendin tonë ekziston institucioni që u vjen në ndihmë fëmijëve që kanë probleme me dëgjimin, siç është Instituti 9-vjeçar për ta.

“Niveli i edukimit në Institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë është 9-vjeçar, aplikohet kurrikula e shkollës së zakonshme dhe përpos saj, aplikohet kurrikula e lëndëve speciale dhe lëndëve të profesionit”.

Një lajm i mirë për këta fëmijë është se shumë shpejt do kenë mundësinë të ndjekin dhe sistemin arsimor të mesëm.

“Kërkesë dhe nevojë e prindërve të këtij komuniteti nxënësish që të ketë një edukim të vazhduar për këto fëmijë pranë Institutit. Jemi në negociata dhe pothuaj jemi në 99.99% që vitin e ri akademik do hapet shkolla e mesme pranë Institutit. Me qëllim që fëmijët e Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë të pajisen me certifikim dhe të pajisen në tregun e punës me bashkëmoshatarët e tyre”.

Për këtë tematikë në Tiranë u mbajt një konferencë që synon vëmendje ndaj politikave dhe shërbimeve për fëmijët e të rinjtë me çrregullime në dëgjim, duke inkurajuar institucionet përkatëse për t’i mbështetur sa më shumë ata.

Klan News