Pas procedimit nga policia të 33 personave, mes të cilëve edhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazmend Bardhi si organizator i protestës së opozitës, ka reaguar kreu i demokratëve Lulzim Basha.

Sipas tij, asnjë masë e marrë nga policia ndaj qytetarëve dhe funksionarëve të Partisë Demokratike, nuk do t’i ndalë të vazhdojnë protestat. Basha thekson se PD do të mbrojë me çdo kusht të drejtën për të protestuar.

“Asnjë procedim penal nuk e ndal Partinë Demokratike dhe qytetarët për të përmbushur misionin tonë për Shqipërinë si gjithë Europa. Përdorimi i militantëve dhe ushtarëve të krimit në Polici për të goditur qytetarët dhe kundërshtarin politik është tipari më i qartë i këtij regjimi kriminal: Edi Rama ka ardhur në pushtet me ndihmën e bandave dhe ka zgjedhur të jetë me bandat kundër popullit. Të gjithë bandat, ajo në qeveri dhe ato në rrugë do të dalin para drejtësisë! Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet të drejtën për të protestuar, të drejtë që e fituam pas 46 vitesh të diktaturës më të përgjakshme në Europë! Numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe bandën në pushtet ka nisur

“, thotë Lulzim Basha në një postim në Facebook.

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 33 persona, nga të cilët 14 janë arrestuar dhe 7 janë në kërkim. Pjesa tjetër po hetohen në gjendje të lirë për përplasjet e dhunshme të së shtunës mes protestuesve dhe policisë. Mes personave të proceduar penalisht në gjendje të lirë është edhe Gazmend Bardhi, i cili ishte organizator i protestës.

/tvklan.al