Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje ku qytetarët do të kalojnë në pikat kufitare me procedura të përshpejtuara gjatë 9 muajve të vitit, në fundjava dhe për festa. Më herët kjo procedurë zbatohej vetëm në 4 muajt e verës. Është rënë dakord që nuk do të ketë kontrolle dokumentash. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Brendshëm Taulant Balla dhe Xhelal Sveçla.
Taulant Balla: Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë-Kukës për të gjithë periudhën 1 maj-30 shtator dhe 1 nëntor-28 shkurt. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona.
Xhelal Sveçla: Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta.
Dy ministrat theksuan se do të punohet edhe për rishikimin e protokolleve të tjera në pikat e kalimit kufitar, si në Valbonë apo dhe në Shishtavec me qëllim lehtësimin e lëvizjes së turistëve. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes pikës së kalimit në Morinë 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj. Duke i krahasuar me shifrat e vitit 2021, fluksi i lëvizjeve është dyfishuar.
Klan News