Enkeleda Hoxha kërkoi kohë për mbrojtjen

Ky është momenti kur gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha, me pranga në duar dhe me maskë kundër Covid, mbërrin në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Para se futej në ambientet e KLGJ-së Hoxha komentoi edhe procesin disiplinor për shkarkimin e saj duke thënë se “procesi është i padrejtë”.

Seanca e radhës në Këshillin e Lartë Gjyqësor zgjati për rreth 60 minuta dhe anëtarët e Këshillit hodhën fillimisht poshtë kërkesat e avokatit të Enkeleda Hoxhës për të marrë në pyetje zyrtarët e lartë të burgjeve dhe prokurorët e çështjes së Hekuran Billës.

Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami mësohet se gjatë kësaj seance ka theksuar se kërkesa e mbrojtjes së gjyqtares për thirrjen e dëshmitarëve nuk mund të pranohet me argumentin se ajo që pretendohet të provohet nuk ka lidhje me objektin e hetimit disiplinor.

Avokati i saj Ardian Visha mësohet se ka ngritur dyshime se procesi është i paragjykuar duke qenë se gjyqtarja Hoxha është në qeli, ndërsa vetë gjyqtarja e akuzuar kërkoi kohë që të paraqesë argumentet e saj në lidhje me procedimin disiplinor.

Kryeinspektori Artur Metani mësohet se është shprehur se nuk ka arsye ligjore për të shtyrë seancën, pasi sipas tij, magjistratja ka qenë e përfaqësuar në çdo mbledhje që Këshilli Gjyqësor ka zhvilluar deri më tani për këtë çështje.

Pas dëgjoi argumentet e paraqitura nga gjyqtarja dhe avokati i saj dhe ato të kryeinspektorit të drejtësisë, Këshilli vendosi që t’i japë Enkeleda Hoxhës një javë kohë për të bërë të bërë mbrojtjen.

Gjyqtarja e Krujës u arrestua disa javë më parë nga SPAK në seancë gjyqësore, teksa dyshohet se po lironte një të dënuar, kundrejt një shume monetare. Bashkë me të u arrestuan edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi, avokati Aldo Tabaku, të cilët dyshohet se bashkëpunonin me njeri-tjetrin për lirimin e të dënuarve.

Tv Klan