Papa i ardhshëm do të zgjidhet nga Kolegji i Kardinalëve, figurat më të larta të Kishës Katolike të zgjedhur nga Papa i ndjerë. Ditët në vijim ata do të mblidhen në Romë për konklavën. Emri vjen nga latinishtja “cum clave”, që do të thotë “me çelës”, duke përshkruar në këtë mënyrë procesin e mbyllur për zgjedhjen e një pape.
Ka më shumë se 220 kardinalë nga 70 vende të botës, por nga këta janë vetëm 120 kardinalë zgjedhës (ata që janë mbi moshën 80 vjeç përjashtohen). Dy të treta e tyre janë zgjedhur nga Papa Françesku gjatë 10 viteve të fundit dhe reflektojnë në shumicë vizionin e tij për një kishë më gjithëpërfshirëse.
Kur kardinalët mblidhen në Romë, zakonisht 15-20 ditë pas vdekjes së Papës, takohen nën tavanin e pikturuar nga Mikelanxhelo në Kapelën Sistine, për të filluar diskutimet e tyre. Pasi thuhen fjalët “extra omne”, – të gjithë jashtë – duke iu referuar të gjithëve përveç kardinalëve që votojnë dhe një numri të vogël zyrtarësh dhe doktorësh, dyert kyçen.
Kardinalët betohen për sekret absolut dhe nuk lejohet asnjë kontakt me botën jashtë gjatë procesit të zgjedhjes. Atyre u hiqen celularët, s’ka gazeta, televizion, si dhe nuk lejohen mesazhe apo letra. Kardinalët hanë dhe flenë në një godinë të ndërtuar për këtë qëllim, shtëpinë e Shën Martës, pranë Kapelës Sistine, ku Papa Françesku ka jetuar gjatë këtyre 12 viteve.

Konklava nis me një meshë pas së cilës nisin diskutimet dhe votimet. Votat ndërmerren çdo ditë, në mëngjes dhe pasdite, derisa një kandidat të fitojë shumicën e dy të tretave. Ka pushim për lutje dhe reflektim pas 7 votimeve. Nëse nuk ka rezultat pas 30 votimeve, kandidati mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë. Konklava më e gjatë papale në historinë moderne ishte në vitin 1922 kur kardinalëve iu deshën pesë ditë për të zgjedhur papën e ri.
Si papë mund të zgjidhet çdo burrë i pagëzuar, por gjithmonë është zgjedhur një kardinal në shërbim. Çdo njërit prej tyre i jepet një fletë votimit me fjalët “eligo in summum pontificem”, – zgjedh Papën suprem. Ata vendosin emrin e zgjedhjes së tyre, palosin fletën dhe e hedhin atë në një kupë të madhe.
Votimi është sekret, por kjo nuk do të thotë se procesi është imun nga fraksionizmi, intrigat apo dhe lobimi. Pas çdo raundi votimi, fletët e votimit digjen. Atyre u hidhen kimikate për ta bërë tymm të zi ose të bardhë. Tymi i zi simbolizon se nuk ka dakordësi për emrin e Papës së ri, ndërsa tymi i bardhë njofton botën se një Papë i ri është zgjedhur.
Kandidati që ia doli me sukses pyetet nëse e pranon zgjedhjen dhe se çfarë emri zgjedh si Papë. Kardinalët zotohen se do t’i binden papës së ri. Ky i fundit çohet në Dhomën e Lotëve për t’u veshur, tashmë si Papa i ri. Rrobaqepësit e Vatikanit bëjnë pa u bërë zgjedhja e tij tre komplete veshjesh me madhësi të ndryshme.
Dekani i Kardinalëve del në ballkonin kryesor të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe para mijëra besimtarëve katolikë njofton: “Anuntio vobis gaudium magnum: Habemus papam”, – shpall për ju me kënaqësinë më të madhe: Kemi një papë./tvklan.al