Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi këtë të enjte një takim prezantues me Atasheun policor të Ambasadës së Austrisë në Tiranë, Andreas Nagy.
Gjatë takimit u çmuan partneriteti, mbështetja dhe besimi i agjencive ligjzbatuese austriake, te Policia e Shtetit, për aspekte si: krijimi dhe funksionimi i Policisë Alpine; veprimtaria e strukturave të policisë, gjatë sezonit turistik; ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore, kryesisht në fushën e hetimit të krimit kibernetik; shkëmbimi i praktikave më të mira për gjurmimin e aseteve të krimit; modernizimi i Sektorit të Daktiloskopisë dhe AND-së, të Institutit të Policisë Shkencore.
Proda e falenderoi Nagy-n për vizitën dhe e garantoi atë për vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për të kontribuuar aktivisht në operacione policore të përbashkëta, me partnerët austriakë dhe me partnerët e tjerë europianë.
Ndërkaq, gjatë takimit, Nagy i dorëzoi Prodës, urimin e Drejtorit të Policisë austriake, Dr. Franz Ruf, për marrjen e detyrës. Gjithashtu, theksoi se misioni i tyre është të përqendrojnë të gjitha kapacitetet policore kombëtare dhe ndërkombëtare, për të parandaluar dhe goditur krimin e organizuar ndërshtetëror./tvklan.al