Jo shumë kohë më parë, një ngarkesë me rreth 5 tonë perime u kthye mbrapsht nga Greqia. Aalizat dolën me përmbajtje të lartë të pesticideve. ABC News u interesua në një nga pikat e eksporteve, për llojin e analizave që u kryen ngarkesave.

Drejtuesi i tyre pranon se gjithçka u besohet fermerëve.

Alban Vince, drejtues eksporti Lushnje:

 

“Ne vetë kontrollohemi këtu, i bëjmë vetë kontrollimet, ndërsa nga shteti nuk ka kontrolle. Sheti duhet ti bëjë kontrollet tek serat e fermerëve, ndërsa këtu i bëjmë vetë privatisht.”

Në një maune për eksport, prodhimet përzihen. Berat, Elbasan, Fier e Lushnje e ndaj është e vështirë të gjenden abuzuesit. Analizat fito-sanitare duhet të bëhen që në origjinën e mallit, por aktualisht nuk ndodh kështu. Sot, serat me domate janë më të përfolura për pjekjen e tyre nëpërmjet hormonit. Nëse do të shkojmë në një serë me domate, gjëja e parë që të bie në sy, janë ambalazhet e përdorura për trajtimin e bimëve. Prodhuesit i kanë hedhur pasi ka përfunduar trajtimi në sipërfaqjet e mbjella. Në fshatin Goriçaj të Divjakës, fermerët e thonë hapur se në serat e tyre nuk ushtrohet asnjë kontroll për cilësinë e produktit.

Prodhuesja 1:

 

“Nuk kemi përdorur plhera kimikë, domatja është pjekur vetë. Analiza nga AKU s’janë bërë këtë vit, nga vite të tjera po.”

Prodhuesi 2:

 

“Vjet erdhën, por sivjet nuk ka ardhur njeri. Ne kemi dëshirën që ta çojmë në eksport. Është mall cilësor pa ngjyrosje, ështe taman bio.”

Mënyra e përdorimit të plehrave kimike dhe hormoneve, u lihet në dorë fermerëve. Pasi blihen në farmacitë bujqësore, shitësit u shpjegojnë përdorimin. Sasia që u hidhet perimeve është në ndërgjegjen e prodhuesve. Ligji shqiptar nuk detyron specialistët të ushtrojnë kontrolle në çdo serë.

Liburnit Zaka, shef i Përdorimit të Teknologjive në Lushnje:

 

“Ka ligj në Shqipëri që ta detyrojë prodhuesin që ta kontaktojë një specialist ose një njeri të ekstensionit. Kjo lihet në dëshirën e tij. Kjo përgjithësisht ka lidhje me fitimet, kërkon të nxjerri fermeri nga ferma e tij se sa me sigurinë ushqimore.”

Mbi 400 ha sera diellore, janë vetëm në Lushnje, ç’ka e bën këtë zonën më të madhe të prodhimeve perimore në vend. Pjesa më e madhe shkon për eksport, ku mbi 30 pika grumbullimi marrin prodhime nga Lushnja, Divjaka, Berati, Elbasani, Kavaja dhe Fieri. Ky është sezoni intensiv i eksporteve, ç’ka ka sjell hapjen e shumë pikave të tjera të grumbullimit, pjesa më e madhe e të cilave nuk kontrollohen mbi aktivitetin e tyre. /

ABC News