Firma farmaceutike Pfizer paralajmëron mungesën e antibiotikëve

Përpjekja e jashtëzakonshme për të prodhuar vaksina kundër Covid-19 po ndikon linjat e prodhimit të barnave të tjera të rëndësishme në SHBA, përfshirë ato për sëmundjet infektive dhe injeksionet që parandalojnë verbërinë.

Pfizer ka paralajmëruar spitalet amerikane që të presin ndërprerje të furnizimit të katër produkteve të saj, antibiotikëve, steroideve dhe dy lloje testosteroni. Këto preparate administrohen me injeksion ose infuzion dhe kërkojnë disa prej përbërësve të vaksinës kundër Covid-19 që Pfizer ka bashkë-zhvilluar me firmën biofarmaceutike gjermane BioNTech.

Në një letër dërguar spitaleve muajin e kaluar, Pfizer paralajmëroi për “ndërprerje afatshkurtra të furnizimit” me barna “për shkak të rritjes së prodhimit të vaksinave” e ndër të tjera thuhet se ulje të furnizimit do të ketë deri në gjysmën e dytë të vitit.

Paralajmërimi i prodhuesit të barnave vjen ndërsa SHBA-ja përpiqet të rrisë furnizimet me vaksina në mënyrë që të rihapë plotësisht ekonominë pas një viti kufizimesh që ka shkaktuar humbjen e miliona vendeve të punës.

Presidenti Joe Biden nënshkroi Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të siguruar që prodhuesit e vaksinave të marrin përbërësit e nevojshëm dhe të vënë në dispozicion të gjithë kapacitetin e prodhimit për vaksinat.

Një ekzekutiv i industrisë farmaceutike i tha gazetës Financial Times se përdorimi i Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes do të sjellë që një e treta e grupeve farmaceutike të përplasen për përbërësit, pajisjet ose hapësirën në linjat e prodhimit.

Prodhuesi të tjerë të barnave gjithashtu kanë raportuar se do të ketë mungesa në treg.

Klan News