Në udhëtimin e radhës të “Check In” në Kamerun, gazetarët e Tv Klan, Albana Nanaj dhe Blendi Fevziun takuan Ildin, një shqiptar.  Pikërisht në tokën e largët afrikane, Ildi ka ardhur nga jugu i Shqipërisë për të jetuar e punuar dhe kur mësoi se dy gazetarët do të vizitonin vendin, u ofrua t’i priste.

Në eksperiencën e tyre në Kamerun, Fevziu dhe Nanaj perceptuan disi në 24 orë kulturën e vendit, historinë dhe provuan të komunikonin me vendasit, të cilët vendosën filtra dhe nuk e rrëfyen të plotë. Ndërsa sot hyrja në Kamerun është e vështirë, dikur ky vend ishte i begatë dhe një popull ballkanas, fqinj me Shqipërinë, pati ndikim e një komunitet të fuqishëm.

Ildi është i lidhur pikërisht me këtë pjesë të historisë, industrinë greke të pastiçerisë në Kamerun dhe sasia e bukëve që prodhohen në ditë është thuajse e pabesueshme, krahasuar me çmimet në vend.

Blendi Fevziu: Kur kanë ardhur grekët në fillim këtu?

Ildi: Grekët e parë mund të kenë ardhur rreth viteve 1920.

Blendi Fevziu: 100 vjet përpara? Dhe grekët kanë ardhur kryesisht për furra buke dhe këtë lloj biznesi?

Ildi: Po. Ka qenë furra buke dhe kinkalerish.

Blendi Fevziu: Po pyeste Albana, çfarë pozicioni ke?

Ildi: Jam menaxher responsabël, menaxher i përgjithshëm, kam nën kontroll…

Blendi Fevziu: Sa punëtorë?

Ildi: 300 punëtorë.

Blendi Fevziu: 300 punëtorë?  Të gjithë kështu kamerunas i ke?

Ildi: Po, të gjithë, në sektorin tim po.

Blendi Fevziu: Sa bukë prodhoni ju?

Ildi: Në ditë normale, 40-50 mijë bukë.

Blendi Fevziu: 50 mijë bukë?!

Albana Nanaj: Gjithë qytetin e Jaundes? Kaq shumë prodhoni besoj?

Ildi: Tani, është, e ke parasysh, është edhe kohë  krize, ka rënë çikë.

Blendi Fevziu: Ka rënë pak ë? Pse sa ka qenë prodhimi më i madh?

Ildi: Është edhe konkurrenca, kupton? Prodhimi më i madh arrinte 120 mijë bukë në ditë.

Ildi tregon me statistika se porositësi më i madh ditor është garda presidenciale që furnizohet me 3000 bukë në ditë dhe 6000 në fundjavë. Por siç u përmend  në fillim të programit nga gazetarët, ajo që bën më shumë çudi janë çmimet në raport me pagat, sepse vetëm një filxhan kafe iu kushtoi 10 Euro.

Blendi Fevziu: Sa është rroga mesatare?

Ildi: Rroga mesatare…120 Euro.

Blendi Fevziu: Po më e  ulëta?

Ildi: Më e ulëta 60  Euro.

Blendi Fevziu: Ndërkohë çmimet janë kacafiu, çmimet më  të shtrenjta që kam parë./tvklan.al