Në këto vreshta pranë qytetit të Nantes, vjelja e pakët e rrushit këtë vit la një shije të hidhur tek prodhuesi francez i verës Vincent Barbier. “Ne kemi një rënie prej rreth 90% të prodhimit, diku te 80 deri në 90%. Është një katastrofë. S’ka fjalë tjetër për ta përshkruar.”

Gjashtë muajt e parë të vitit 2024 kanë qenë shumë të lagësht dhe me pak diell. Myku ka dëmtuar rëndë prodhimin e 52-vjeçarit, duke i kthyer gjethet e hardhive në ngyrë kafe të errët ndërsa kokrrat e rrushit janë shkatërruar.

Vincent Barbier

“Vjelja është shumë e vështirë, kemi patur shumë pak rrush, shumë humbje të lidhura me ndryshimet klimatike të vitit 2024, që filluan  në fakt në fund të vitit 2023. Kemi pasur reshje historike, kemi tejkaluar sasitë e lagështisë për një kohë të gjatë dhe kemi pasur temperatura jashtëzakonisht të ftohta. Pra është ky kombinim faktorësh që ka dëmtuar prodhimin.”

Barbier, i cili prodhon kryesisht verë të bardhë, zakonisht punëson 20 vetë për të mbledhur rrushin në këtë sezon. Por këtë vit mori vetëm tetë prej tyre të cilët u përpoqën të shpëtonin atë që mundën.

“Ne po përpiqemi të mbledhim atë pak rrush që ka mbetur për të prodhuar një verë që do të jetë e freskët dhe do të jetë përsëri në nivelin e duhur të cilësisë. Problemi është tek sasia dhe gjendja e hardhive tona, gjë e cila po na shqetëson shumë”.

Edhe pse prodhimi i këtij viti pritet të jetë me cilësi të lartë, mungesa në sasi po i vendos vreshtarët në një pozitë të vështirë pasi nuk kanë mundur të kenë rezerva të mjaftueshme të verës. Vreshtarët u goditën rëndë gjithashtu nga shirat në korrik, gjë që i detyroi ata të riaplikonin trajtimet me ilaçe. Ata ankohen se nuk marrin mbështetje financiare nga qeveria.

“Të gjitha pasojat që kemi nga ndryshimet klimatike duhet t’i përballojmë vetë. Ne nuk marrim kompensim financiar nga qeveria në këtë rast.” Në këto kushte prodhuesi francez i verës po mendon për të ardhmen e biznesit të tij.

“Duhet të marr një vendim. A është e rëndësishme të vazhdoj? Unë kam punonjës, kam edhe një jetë familjare gjithashtu. Nëse në emër të kësaj sipërmarrje unë duhet që të humbas gjithçka, do të duhet t’i bëjmë vetes pyetjen se a ja vlen.”

Ndryshimet klimatike po rrezikojnë seriozisht zonat që prodhojnë verë. Nëse temperaturat globale do të rriteshin mesatarisht 2 gradë brenda fundit të këtij shekulli, atëherë 70% e vreshtave nuk do të ekzistonin më. Madje në disa zona, si Italia, për shkak të thatësirës, ky rrezik mund të arrijë deri në 90%. Vlerësimet janë pjesë e punës studimore të një ekipi nga universiteti Bordeaux në prill të këtij viti.

Aktualisht vreshtaritë kryesore në botë ndodhen në Itali, Francë, Spanjë, Greqi e Kaliforni, por ngrohja po kushtëzon sasinë dhe cilësinë e rrushit. Në të njëjtën kohë vende të tjera, aktualisht jo të përshtatshme për vreshtari, mund të kthehen në të tilla, duke arritur në lartësi me të mëdha, pra drejt veriut të Evropës. Ndoshtja kjo do të jetë e ardhmja e afërt për prodhuesit e verës.

Klan News