Këngëtarja e mirënjohur, Luar, prezantoi këngën e saj të fundit “Jetë”, këtë të mërkurë në emisionin “Rudina”, në Tv Klan.

Luar prej shumë vitesh është shpërngulur dhe jeton në Berlin të Gjermanisë, ku punon si këshilltare marketingu në një bankë. Përveç të tjerash, ajo shpjegoi edhe vështirësitë e shqiptimit të emrit të saj në Gjermani, por edhe keqkuptimet në Shqipëri.

Rudina: Luar Arani, Arani është mbiemri. Luar, po emri yt nga ka ardhur? Kush ta ka vënë emrin, ka ndonjë kuptim të veçantë?

Luar: Po ka një kuptim të veçantë. Në fakt, mendoj që të dy prindërit kanë rënë dakord, është bashkimi i emrave të dy hallave të mia, Lume dhe Arjana, janë marrë shkronjat Lu dhe Ar, fatkeqësisht ato nuk jetojnë më, megjithatë unë mbaj kujtimin e tyre me vete gjithmonë.

Rudina: Është emër shumë i veçantë, Luar. Kur shquhet si merr, me i apo me a?

Luar: Faktikisht Luar-i. Luar-a nuk e kam dëgjuar kurrë dhe më duket shumë e çuditshme. Unë kam dëgjuar edhe Luan, sa herë profesori i matematikës më thërriste Luan Arani se e kuptonte ashtu, kështu që më kanë thënë shumë gjëra, në Gjermani p.sh. nuk shqiptohet fare r-ja dhe më thonë Lua, kështu që më duket vetja japoneze.

Rudina: Por është një emër i veçantë që të bën të dallosh. /tvklan.al