Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk premton mrekullira me programin e tij elektoral për zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i opozitës tha se selia që ai drejton ka punuar prej dy vitesh për të krijuar një program realist që sipas tij do të nxjerrë vendin nga kriza.

Pjesë e punës për realizimin e këtij programi janë bërë ekspertë të huaj dhe vendas ekonomie. Megjithatë, Basha tha përballë Blendi Fevziut se nuk do të ketë premtime false.

“Nuk ka në këtë program premtime për mrekullira. Dua ta them të parën këtë Nuk ka premtime falso, 300 mijë vende pune, këtë falas, atë falas etj. Ka zgjidhje reale për sektorin e ekonomisë”.

Programi ka komponentin e vet ekonomik dhe politik, tha Basha. Ai deklaroi se taksa e sheshtë 9% është një element i panegociueshëm nëse vjen në krye të qeverisë.

“Taksa e sheshtë 9% është një angazhim tashmë, nuk është më premtim. Taksa është një element thelbësor i panegociueshëm”, duke deklaruar se edhe aleatët duhet të jenë dakord me këtë vendim.

Sipas Bashës do të ketë një fasho. Deri në 300 mijë lekë të vjetra do të jenë pa taksë dhe mbi 300 mijë lekë taksa do të jetë 9% e sheshtë për çdo kategori.

“Taksa 9% do të jetë për tatimin mbi të ardhurat personale, tatim fitimin mbi bizneset, do të jetë 9% pjesa e punëmarrësit dhe 9% pjesa e punëdhënësit për sigurimet”, tha Basha.

Biznesi i vogël do të kualifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro nën  140 milionë lekë të vjetra në vit.

“Do të paguajë një taksë të vetme 0.5% e xhiros vjetore”, tha Basha, i cili shtoi se nuk do të ketë asnjë lloj tjetër takimi qendror apo lokal./tvklan.al