Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim falenderues në Kukës e njëkohësisht ka shpjeguar disa nga planet konkrete të qeverisë për këtë qytet në 4 vitet e ardhshme.

Një ndër pikat kyç të investimeve sipas kreut të qeverisë është turizmi.

“Në Tropojë këtë muaj është numri më i madh i turistëve që ka qenë ndonjëherë, por duhet të rrisim kapacitetet. Unë mendoj se nuk është e largët dita kur edhe shtëpitë këtu të jenë në funksion të turistëve që vijnë për të kaluar një natë, dy netë, por ama na duhen investime të zgjuara dhe një punë e durueshme me ata të cilët kanë mosbesim për të investuar në agro-turizëm sidomos.”

E për të rinjtë e Kukësit, ai tha se do të kenë mundësinë të marrin aftësitë e duhura në kurset për teknologjinë e kodimit, përmes mbështetjes nga qeveria. Kjo gjë, deklaroi kryeministri do u japë mundësinë moshave të reja të sigurojnë të ardhura pa dalë nga Kukësi.

“Tjetra që kam ka të bëjë me investimet në infrastrukturën shëndetësore, këtu shumë shpejt besoj se do kemi spitale ekselentë dhe qendra shëndetësore që do vazhdojmë t’i ripërtërijmë. Shkollat, ishim te gjimnazi këtu dhe prapë ka për të plotësuar sepse është një territor fantastik dhe mund të bëhet një qendër sportive për gjithë qytetin. Por, të gjitha këto nuk duhet të na lënë të harrojmë pjesën që do të bëjmë për të rinjtë, sot në mbledhjen e qeverisë kemi vendosur shtrirjen e programit të teknologjisë së kodimit për të rinjtë përtej Tiranës.

Edhe në Kukës do hapim thirrjet që vajzat dhe djemtë që duan të përfshihen të vijnë sepse është një program i mbështetur nga qeveria shqiptare. Ka bursa që mbulojnë komplet ose 50% për të gjitha ata që nuk i kanë të ardhurat për të paguar kurset e shtrenjta. Kjo do të thotë që brenda 6 muajsh ose 9 muajsh, një 16-vjeçar të jetë në gjendje të punojë kudo në botë pa dalë fare nga Kukësi. Me kompjuterin e vet të futet dhe të disponojë aftësitë që të hyjë në kompani të caktuara dhe ka sot gjithmonë  e shumë që e bëjnë, janë gjimnazistë që sjellin të ardhura shumë më shumë në shtëpi se sa një emigrant”, tha Rama./tvklan.al