Basha: Nuk është plan mrekullish, por rimëkëmbje

Kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është i sigurt se 25 Prilli do jetë një moment kthese dhe shprese edhe për të gjitha kategoritë sociale, të cilat sipas tij janë braktisur nga qeverisja e Edi Ramës. Planin e demokratëve për mirëqenien sociale e konsideron realist dhe që do ti jap pensionistëve, njerëzve me aftësi ndryshe dhe atyre në pamundësi ekonomike një trajtim dinjitoz.

“Ne duam t’ju prezantojmë një plan pune që do ta zbatojmë, sepse është plotësisht i realizueshëm! Nuk është një plan mrekullish, por është një plan stabilizimi, normalizimi dhe rimëkëmbjeje”.

Sa i përket pensionistëve Basha bëri të ditur se ata do të përfitojnë rritje pensioni jo më pak se 5 për qind në vit.

“Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se  norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Ne nuk do t’i braktisim kurrë pensionistët tanë, që i dhanë kaq shumë vendit tonë të mrekullueshëm dhe familjeve tona”.

Edhe për ata që janë në pamundësi ekonomike ai siguroi një trajtim më të mirë.

“Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet”.

Gjithashtu Basha u zotua që njerëzit me aftësi të kufizuara të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes së demokratëve dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar.

Në vëmendje të planit të demokratëve për mirëqenien sociale janë edhe çiftet e reja, për të cilat parashikohet subvencionim i interesave të kredive.

“Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para”

Gjithashtu plani i PD-së angazhohet që çdo të porsalindur të sigurojë një pagesë mujor prej 3 mijë Lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.

Sipas Bashës ata që shkatërruan Shqipërinë nuk mund ta rimëkëmbin më atë, ndaj dhe i konsideron jetike zgjedhjet e ardhshme për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur mes së keqes që sipas tij përfaqësohet nga Rama dhe vet Shqipërisë.

Tv Klan