Shqipëria është pranë plotësimit të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian për pjesëmarrjen në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në këtë konkluzion arrin progresraporti i Komisionit Europian, i siguruar paraprakisht për mediat, para bërjes publike nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhej.

Progresraporti konstaton se Shqipëria ka bërë progres të moderuar mes prioriteteve të përcaktuara nga Këshilli Europian. Megjithatë mosfunksionimi ende i Gjykatës Kushtetuese dhe klima e polarizuar politike veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për Kodin Zgjedhor janë ndër pikat më problematike. Mes të tjerash kërkohet përshpejtimi i procesit të vënies në funksionim të Gjykatës Kushtetuese.

“Me katër anëtarët aktualë, Gjykata ka kuorumin minimal për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Procesi i përzgjedhjes për tre poste të lira është duke vazhduar. Procesi është prekur pak nga kriza COVID-19, por pritet të finalizohet si përparësi. Përfundimi i emërimeve në Gjykatën Kushtetuese do të vazhdojë pasi Gjykata e Lartë të arrijë kuorumin e kërkuar prej tre të pestave të anëtarëve në detyrë, pasi kjo e fundit është autoriteti i tretë emërues së bashku me Asamblenë dhe Presidentin e Republikës”.

Raporti shprehet kritik për miratimin pa konsensus të ndryshimeve në kodin zgjedhor të cilat dalin jashtë marrëveshjes së 5 qershorit.

“Amendimet kushtetuese miratuan me mbështetjen ndërpartiake në Parlament dhe hasën në kritika nga opozita jashtë-parlamentare. Këto amendime janë të palidhura me implementimet e kërkesave të OSBE/ODIHR dhe kërkonin ndryshime të tjera në kodin elektoral që u diskutuan mes partive politike në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis përpara se Parlamenti të votojë atë në 5 tetor. Megjithë një rezultati pozitiv në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, në veçanti në lidhje me reformën elektorale dhe implementimin e saj”.

Raporti prek edhe problematika të tjera si Ligji i Medias ku kërkohet përshpejtimi i procedurave për miratimin e tij sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Vlerësohen po ashtu përparimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në raport thuhet se përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

Tv Klan