Në komunikimin e radhës në Facebook përmes video-mesazheve, kryeministri Edi Rama foli për skenarët e mundshëm që pandemia mund të shkaktonte në vendin tonë, të cilat i kishte hartuar në krye të herës me stafin e tij.

Sipas Ramës, duke demonstruar grafikët, nëse në vendin tonë nuk do të ishin marrë masa, projeksioni mesatar për numrin e të infektuarve do të ishte rreth 3008 persona, ndërsa në situatën aktuale sot shënohen 377 raste të konfirmuara.

Ndërkaq Rama tha se skenari për viktimat, nëse nuk do ishin marrë masa, mesatarisht sot do të ishte rreth 268, ndërsa aktualisht janë shënuar 21 jetë të humbura nga koronavirusi.

Kreu i qeverisë ka përsëritur edhe një herë se masat e marra nga qeveria duket se po japin efekt pozitiv.

Por ai nuk ka harruar që t’u bëjë një thirrje shkodranëve, ku deri më tani janë shënuar 40 persona të infektuar dhe një viktimë, që të tregohen më bashkëpunues dhe të respektojnë rregullat për distancim social. /tvklan.al