Rama dhe Mohamed Alabbar prezantojnë masterplanin

Brenda një periudhe 5-vjeçare kjo do të jetë pamja që do të ofrojë Porti i Durrësit, pas investimit prej 2 miliardë Eurosh që do të kryejë kompania globale Emaar Group.

Kreu i kësaj kompanie me qendër në Dubai por që ka bërë investime të këtyre përmasave por edhe më të mëdha, premton se nga 3D në realitet, përfundimet do të jenë edhe më mbresëlënëse. Ndërsa zbulon arsyet përse pranoi t’i hedhë sytë nga Shqipëria për të investuar.

“Premtoj se do ta bëjmë edhe më të bukur. Vëllai im Edi më tha dua të bëj diçka për njerëzit e mi”.

Në prezantimin e masterplanit në një event të organizuar në ambientet e Portit të Durrësit, ministrja Balluku shpjegon se projekti do të jetë i përbërë nga dy shtylla.

Vetë Kryeministri është optimist për të ardhmen e zhvillimit të Durrësit edhe për shkak të sinjaleve që i vijnë nga qielli.

“Nuk e di si i thoni ju bereqetit. Shiu është bereqet”.

Pas përfundimit të portit të ri turistik dhe gjithë zonës përreth, Kryeministri është i sigurt që Durrësi do të jetë një qytet ku do të mësyjnë turistë elitarë duke konkurruar vende të rajonit si Mali Zi.

Objektivi që i ka vendosur vetes për ta kthyer Shqipërinë në kampionen e turizimit në rajon, thotë se do të vijë dhe me investime të tjera si Porti i Vlorës që nis brenda Qershorit, atij të Sarandës që ka nisur si dhe Porti i Shëngjinit që thotë se do të nisë brenda 2023.

Tv Klan