Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se projekti i paraqitur nga dhëndri i ish-Presidentit të SHBA-së, Trump, për investimin në Sazan do të bëjë që kjo zonë të kthehet në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, Rama është shprehur se firma që ka paraqitur projektin është ndër më prestigjozet e hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar struktura në Azi dhe Lindjen e Mesme.

Edi Rama: Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe për investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.

Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua, djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros. Shyqyr se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë për të ivestuar, e bën Shqipërinë padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë akuzat nga ata.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik.

Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e Shqipërisë që e dinë më mirë se kushdo se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepës të Shqipërisë. Ne nuk e kemi fshehur qëllimin për të ndërtuar në Shqipëri sektorin e ekselencës me 5 yje të industrisë së re të turizmit.

/tvklan.al