Teatër i ri apo rikonstruktim i godinës së vjetër? Përtej debatit që ka ndarë në dy kampe aktorët, projekti i prezantuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë “Bjarke Ingels Grop” është ai që është kundërshtuar fare pak.

Ky është projekti i plotë tredimonsional që shfaqet për herë të parë dhe ku tregohet me detaje shtrirja  e këtij kompleksi në një sipërfaqe 9 mijë e 200 metra katrorë.

E ideuar si një hapësirë e klasit botëror për shfaqe të ndryshme, teatri mbart një dizajn modern dhe një stil unik që i përshtatet më së miri qendrës së Tiranës.

Ashtu si tregon grafika, hyrja kryesore e teatrit do të jetë me pamje nga pedonalja “Murat Toptani”, ndërsa garanton një akses të këmbësorëve nga rruget e tjera paralele.

Hapësira në nivelin zero krijon të tjera mundësi argëtimi apo performancash publike.

Teatri do të ketë gjashtë hapësira. Është menduar për ambiente të dedikuara për aktorët, 750 metra katror auditor me mbi 600 vende dhe dy salla ‘Black Box’ prej 200 metra katror. Çatia gjithashtu ofron hapësira publike për shfaqje të veçanta.

Autorët e projektit kanë menduar që godina të jetë sa më funksionale ku dhomat e ndërrimit të aktorëve, ato të provave dhe dushet të jenë pranë auditorit. Ndërsa rrugët e dedikuara sigurojnë që ata të mos ndeshen kurrë me hapësirat ku kalon publiku. Një projekt që, sipas drejtuesve të Bashkisë, do ta bëjë Tiranën në listën e vendeve që mund të presin evente të mëdha ndërkombëtare.

Tv Klan