Themeluesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari është duke punuar për një projekt të ri.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Hajdari shpjegoi se një repart i vjetër ushtarak që ndodhet në fillim të “Rrugës së Arbrit”, po transformohet në një qendër sociale.

Kjo pronë është 43.169 metër katrorë dhe do të ketë salla konferencash që do të mund të përdoren nga të rinjtë pa asnjë tarifë.

Jo vetëm kaq, por në këtë qendër sociale do të hapet edhe shkollë profesionale për personat në nevojë dhe që do të jetë falas.

Ka qenë një nga repartet më të mëdhenj ushtarakë që ka pasur vendi. Ish-uzina e artilerisë e cila ka nisur punën në 26 Maj të këtij viti për t’u transformuar në një qendër të madhe sociale dhe për t’i shërbyer grupimeve të njerëzve që janë pjesë e “Fundjavës”. Në ato troje ka jetuar populli i Arbrit. Objektet e para që janë restauruar janë sallat e konferencave të cilat i kemi lënë në dispozicion për çdo të ri dhe të re shqiptare që kanë një dëshirë për të realizuar një aktivitet, mund të përdorin gjithë asetet tona pa para. Kemi menduar dhe është shumë e rëndësishme një shkollë profesionale, e cila do të jetë pa para. Një shkollë, që në bashkëpunim me bizneset më të mëdha në vend, po bëjmë rakordim se cilat janë zanatet që kërkohen dhe gjithë personat që do të vijnë për të qenë pjesë e shkollës pa para do të kenë dhe një kontratë paraprake pune, në mënyrë që kur të mbarojnë shkollën, direkt të futet në punë. Ti nuk mund të përfitosh një shtëpi nëse nuk je dakord që të vish në shkollë. Ti nuk mund të përfitosh një shtëpi nëse ti nuk je dakord që të punosh.  Punën ta gjejmë ne, shkollën ta gjejmë ne. Pra ka nevojë që kjo kategori njerëzish të vihet para një presioni pozitiv në mënyrë që ta kuptojnë se është shumë e rëndësishme që të arsimohesh dhe punosh”.

Gjatë 4 viteve, “Fundjavë Ndryshe” ka bërë të mundur ndërtimin e rreth 112 shtëpive dhe ka rikonstruktuar 187 të tjera. Arbër Hajdari thotë se pjesa më e madhe e fondeve për këtë nismë jepen nga bamirës të ndryshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Duke parë që këto 4 vite, “Fundjava Ndryshe” duke llogaritur të mirat materiale që janë dhuruar nga njerëzit, ka kaluar mbi 8-9 milionë Euro të gjithë gjërave që ka bërë. Gjithë aktiviteti financiar i “Fundjavës” kalon përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi jemi të regjistruar atje si organizatë internacionale, edhe çdo procedurë është pa para, pasi qeveria amerikane i njeh fondacionet pa asnjë lloj tarife, gjë që nuk ndodh në vendin tonë. Çdo bamirës që dhuron një kafe në muaj automatikisht nga karta e kreditit të tij, ose kemi bamirës me të cilët jemi të lidhur gjatë gjithë kohës dhe kanë dëshirë, i prezantojmë raste, i prezantojmë projekte. Kështu punojmë me diasporën. Kurse me Shqipërinë e kemi më ndryshe. Me Shqipërinë kemi punuar direkt me njerëzit, duke shkuar dhe duke prezantuar projektin. Dëshira jonë është që t’i marrim njerëzit me vete”, u shpreh themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari. /tvklan.al