Ky është projekti i ri i Spitalit infektiv për të cilin u zhvilluan konsultimet e para pas një pune paraprake për infrastrukturën spitalore. Ministrja Manastirliu u shpreh se ky projekt do të shërbeje si pjesë e përballimit të krizave pandemike.

 “Nëpërmjet projektit të përballimit të emergjencës së Covid-19 të mbështetur nga Banka Botërore, ne kemi tashmë filluar tashmë të hedhim hapat e parë në zbatimin e këtij projekti, i cili është pjesë e planit kombëtar të përgjigjes kundër Covid-19, planit tonë 2 vjeçar që tashmë është miratuar dhe po jetësohet”, është shprehur Manastirliu.

Spitalit i ri Infektiv do të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe kushtet e punës për personelin shëndetësor. Po ashtu sipas Manastirliut do të përforcohet edhe struktura e Urgjencës Kombëtare

 “Një projekt shumë i rëndësishëm, pasi jo vetëm do të kthejë në standarde bashkëkohore Spitalin Infektiv por gjithashtu do të rrisë kapacitetet e këtij spitali dhe padyshim qëllimi madhor është përmirësimi i shërbimeve ndaj pacientëve dhe sigurimi i kushteve të mira të punës për mjekët infermierët dhe personelin që ofron shërbime aty.

Ky projekt përfshin jo vetëm rehabilitimin e Spitalit Infektiv, por edhe mbështetjen me aparatura, duke përfshirë këtu të gjithë atë gamën e nevojave që ka një spital, si spitali infektiv”. Nëpërmjet planit tonë të veprimit, kemi parashikuar të bëjmë të mundur përforcimin e strukturës tonë të Urgjencës Kombëtare me 20 autoambulanca të reja që do i shtohen flotës ekzistuese në të gjithë vendin”, është shprehur ministrja.

Projekti i ri i spitalit infektiv parashikon pajisjen me aparatura të teknologjisë së lartë për shërbimin infektiv të nivelit terciar, si qendër reference për të gjithë vendin.

Klan News