Një pjesë e Rrugës së Arbrit kalon në aksin e vjetër e Rrugës Egnatia. Në 14 km e parë të këtij segmenti, që do të ketë një gjatësi totale prej 35 km dhe që do lidhë kryeqytetin me Dibrën në më pak se një orë, janë përfunduar 2 ura, si dhe një nga 4 tunelet që ka rruga, është hapur.

“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”.

Ministri i Infrastrukturës që sëbashku me kryeministrin inspektuan punimet e aksit që do të jetë pjesë e korridorit të 8-të, e vlerëson si shembullin më të mirë krahasimor mes koncesioneve partneritetit privat dhe financimeve të veprave të tilla nga buxheti i shteti.

“Kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”.

Vetë kryeministri Edi Rama vlerëson rëndësinë që do të ketë ky aks jo vetëm për lidhjen mes dy zonave, por dhe për rritjen e mundësive për zhvillimin e agroturizimit.

“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”.

Punimet për ndërtimin e rrugës, që kapin vlerën e 240 mln eurove nisen në Qershor dhe është premtuar se do të përfundojnë brenda 3 viteve.

Tv Klan