Të martën, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transporteve do të japë një përgjigje përfundimtare mbi kërkesën që një kompani private shqiptare ka bërë për ndërtimin e rrugës së Arbrit.

Vlera e propozuar nga kjo firmë për përfundimin e segmentit është 205 milion dollarë, ndërsa projekti është futur në listën e shpallur nga qeveria shqiptare për paketën 1 miliard të dollarë të investimeve të llojit partneritet publik – privat.

Formula që do të aplikohet është financimi në vitet e para të rrugës nga firma private, e më pas kthimi i parave nga buxheti i shtetit. Nga matjet e bëra rezulton se norma e kthimit të fitimit për këtë vepër është 12%, mjaft e ulët krahasuar me projekte të tjera.

Dy vite më parë qeveria shqiptare hyri në negociata me kompaninë “China State Construcsion” për të ndërtuar rrugën e Arbrit.

Në ofertën që kjo kompani ka bërë, të siguruar nga Tv Klan, vlera që jepej për përfundimin e rrugës ishte 215 milion dollarë, ndërsa financimi do të vinte përmes një kredie të butë me normë interesi 2% nga qeveria e Kinës.

Rruga nuk premton fitime të mira për ndërtuesin pasi fluksi i makinave në këtë aks është 1900 në ditë, e pas ndërtimit mendohet se mund të arrijnë në 3400 automjete./ TV KLAN