Në seancën plenare të kësaj të enjteje u diskutua projektligji për gjendjen civile, i cili propozon heqjen e gjobës për ata që nuk deklarojnë vendbanimin e tyre. Deputeti Ralf Gjoni hodhi dyshime se ky projektligj është një tentativë e mazhorancës për të ndërhyrë në gjendjet civile dhe vendbanimin e votuesve shqiptarë, me qëllim manipulimin e listave të zgjedhësve.

“Me të drejtë dikush nga jashtë mund të bëjë pyetjen, pse pikërisht tani, në periudhë fushate zgjedhore, vjen ky projektligj dhe ky propozim për të hequr sanksionet. A është në dijeni Ministri i Brendshëm për shumë raste të qytetarëve shqiptarë, unë njoh disa që më kanë raportuar gjatë 2 javëve të kaluar, të cilëve iu ka ndryshuar gjendja civile pa dijeninë e tyre. Ndërkohë këtu vjen një propozim për të hequr sanksionin administrativ. Çdo të thotë kjo? Pse duhet ky ndryshim dhe kjo ndërhyrje në ligjin për gjendjen civile, pikërisht tani, disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri? Përse dikush që ndryshon vendbanimin e tij nuk duhet ta deklarojë këtë vendbanim dhe përse mos përdoret një sanksion administrativ për të detyruar shtetasit që të deklarojnë vendbanimin, sepse vendbanimi është i lidhur zonën zgjedhore. Tani dihet që shumë qarqe do të ndryshojnë, ose disa qarqe do të ndryshojnë numrin e mandateve në zgjedhjet e ardhshme për të reflektuar popullsinë reale të këtij qarku. Unë druaj se ky ndryshim vjen si pjesë e disa ndërhyrjeve që ju parashikoni, për të kopsitur gjendjen civile dhe vendbanimin e shtetasve dhe votuesve shqiptarë, në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme. Unë e shoh si një tentativë tjetër të radhës për të kapur popullsinë, për të kontrolluar lëvizjet e popullsisë, njëlloj siç bëhet edhe me ata miliona shtetas shqiptarë që gjendjen jashtë Shqipërisë me vendbanim jashtë shtetit, të cilët janë legjitimë për të votuar në Shqipëri. Askush nuk e di se çfarë po bëhet me këta emra dhe askush nuk mund të japë një garanci nëse këta emra të cilët nuk jetojnë në territorin shqiptar, do të votojnë apo jo në zgjedhjet e ardhshme”.

Por në kundërpërgjigje, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i quajti dashakeqëse dhe të pavërteta, aludimet se po tentohet manipulimi i listave zgjedhore. Ministri tha se janë me mijëra shqiptarë pa një adresë të saktë dhe se për përditësimin e adresave po punohet që prej vitit 2016. Lleshaj tha se qytetarët shqiptarë, përveç adresës së vendbanimit, kanë dhe një adresë të qendrës së votimit dhe këto të dyja nuk kanë lidhje më njëra-tjetrën. Sipas Ministrit, ajo që po përditësohet është adresa e vendbanimit, jo e vendvotimit.

“I kam dëgjuar me përbuzje aludimet të papërgjegjshme, të bëra nga aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë, të cilët kanë krijuar tym krejtësisht të panevojshëm, në përpjekje për të krijuar alibi të ardhshme. Sigurisht të gjithë ata që përgatiten për të humbur, përgatisin edhe alibitë e radhës, por nuk është vendi të përgatiten alibitë me këtë çështje me listat e zgjedhësve. Për arsye se kam deklaruar dhe po deklaroj edhe para këtij Kuvendi. Asnjë ndryshim në listat e zgjedhësve nuk mund të bëhet  pa vullnetin e vetë qytetarit, as edhe një ndryshim. Dhe duhet të dini diçka që është shumë e rëndësishme. Qytetarët shqiptarë, në harkun e tre dekadave të fundit kanë humbur masivisht adresat e tyre, me mijëra e qindra, mijëra syresh janë shpërngulur, janë vendosur nëpër zona të ndryshme informale, kanë ndërtuar në mënyrë informale dhe kanë përfunduar dhe pa një adresë të saktë. Dhe gjendja sot është e tillë që ka shumë prej tyre që nuk e kanë një adresë të përditësuar realisht dhe për këtë po punohet që nga viti 2016 me ndryshimin e ligjit, po punohet për të përditësuar dhe për t’i dhënë çdo qytetari një adresë. Shumë prej jush e prej nesh e prej të gjithëve, në qoftë se e shohin në regjistrin e gjendjes civile para dy-tre vjetësh, adresën e kanë thjesht Tiranë, ndërkohë që po bëhen përditësime dhe po vendoset adresa sipas standardit ligjor. Por, në të njëjtën kohë çdo qytetar shqiptar përveç adresës së vendbanimit, ka edhe një adresë elektorale, ka një adresë të qendrës së votimit dhe këto të dyja nuk kanë lidhje më njëra tjetrën. Ne po përditësojmë adresën e vendbanimit, por nuk po prekim adresën e vendvotimit, që janë dy gjëra të ndryshme. Listat e votimit janë publikuar, ekstrakti i parë i tyre që me datën 5 Tetor dhe unë sfidoj cilindo që pretendon që ka ndryshime në këto, të shkojë e të gjejë një rast, se këto janë publikuar në gjithë Shqipërinë, pra në çdo zyrë të gjendjes civile, ose pranë çdo njësie administrative keni edhe listat dhe shikoni që adresat e votimit ose qendra e votimit të qytetarëve, është ajo që ka qenë dhe nuk mund të ndryshojë pa kërkesën e qytetarit dhe pa paraqitjen e dokumenteve që duhen për këtë punë. Dhe ky ndryshim mbyllet 40 ditë para zgjedhjeve, pastaj nuk ka më asnjë ndryshim. Prandaj, ju lutem shumë, për interes të orientimit të drejtë të qytetarëve, të vetë votuesve tuaj mbajeni mirë këtë parasysh dhe faktojeni përmes aksesit online, secili ka akses online dhe mund ta verifikojë gjendjen e tij civile dhe vendvotimin e tij. Edhe në rastet kur qytetarëve u është ndryshuar adresa e vendbanimit për arsye të censusit që është bërë në terren, u është ndryshuar jo nga lart por nga vetë ata ose të afërmit e tyre ose administratorët e pallateve, qendra e votimit të tyre nuk është prekur. Ka raste qytetarësh që sot shkojnë dhe konstatojnë në regjistrin e gjendjes civile që adresa e tyre nga Saranda ka përfunduar në Tiranë, për arsye se u ka dalë edhe një shtëpi në Tiranë e tyrja dhe hutohen, shqetësohen dhe krijojnë idenë se mos iu është ndryshuar vendi i votimit. Në qoftë se e verifikoni, secili ka akses në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, çdo qytetar mund të shohë adresën e vendvotimit të tij ose qendrës së votimit, nuk mund të ndryshojë dhe nuk ndryshon. E përsëris edhe njëherë edhe ftesën, që secili të bëjë verifikime dhe të mundohet të ngrejë realisht shqetësime të bazuara ose i sfidoj ata që e shohin këtë punë negativisht që të japin raste konkrete, të marrin një emër dhe mbiemër dhe hajde ta verifikojmë online para gjithë Shqipërisë se si është, nuk është e mundur të ndryshohen”.

Projektligji për gjendjen civile vjen si propozim për të hequr një sanksion administrativ me argumentimin e ndjekjes së një metodologjie të re liberale, duke mos aplikuar më masa shtrënguese në procedurat që do të zbatohen nga zyrat e gjendjes civile, në bashki, njësi administrative, për kategorinë e atyre shtetasve shqiptarë, që nuk deklarojnë të dhënat reale të vendbanimit të tyre./tvklan.al