Çdo iPhone vjen me një shënim në të që tregon se është projektuar në Kaliforni. E teksa ky “drejtkëndësh” kaq i lezetshëm, që po ndikon jetën e shumë njerëzve, mund të jetë projektuar në Shtetet e Bashkuara, me shumë mundësi “ka ardhur në jetë”, mijëra kilometra larg nga aty, në Kinë. Epo ky vend tashmë është goditur fort nga tarifat e presidentit amerikan Donald Trump, për disa mallra kineze edhe në masën 245 përqind.

Apple shet më shumë se 220 milionë iPhone në vit dhe sipas shumicës së përllogaritjeve, nëntë nga dhjetë, prodhohen në Kinë. Që nga ekrani te bateritë, aty prodhohen shumica e komponentëve të Apple. Më pas mblidhen dhe krijohen iPhone-t, iPad-sat dhe Macbook-sat. Shumica dërgohen në SHBA, tregun më të madh të Apple.

Për fat të mirë të kompanisë, Trump përjashtoi papritur nga tarifat e tij javën e kaluar, telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe disa pajisje të tjera elektronike. Por nuk ka rehati.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar të tjera tarifa në vijim dhe pjesë e saj do të jetë edhe zinxhiri i furnizimit të elektronikës. Tashmë ky zinxhir furnizimi që Apple e ka “shitur” si forcë, po rezulton i cenueshëm.

SHBA-ja dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha botërore, janë të ndërvarura dhe tarifat e Trump e kanë përmbysur këtë marrëdhënie brenda natës duke çuar në një pyetje të pashmangshme: Kush është shteti më i varur mes të dyja?

Si u kthye në kërcënim litari i shpëtimit

Kina ka përfituar shumë nga pritja që i ka bërë një prej linjave të montimit të një prej kompanive më të vlefshme në botë. Për botën perëndimore Kina ka qenë gjithmonë si ndihmë për prodhimin cilësor dhe kjo ka ndihmuar në nxitjen e inovacionit në vend.

Apple hyri në Kinë në vitet 1990 për të shitur kompjuterë përmes furnizuesve të tretë. Rreth 1997-ës, kur ishte në prag të falimentimit dhe po vuante që të konkurronte me rivalët, Apple gjeti “litarin e shpëtimit” në Kinë. Një ekonomi e re kineze po hapej drejt kompanive të huaja për të nxitur prodhimin dhe për të krijuar më shumë vende pune.

Apple arriti zyrtarisht në Kinë në vitin 2001, përmes një kompanie tregtare të bazuar në Shanghai dhe filloi që të bënte produkte në këtë vend. Kompania kishte partneritet me Foxconn, një prodhues elektronike nga Tajvani që operonte në Kinë për të bërë iPod-at, më pas iMac-sat dhe në fund iPhone-t.

Asokohe Kina nuk ishte përcaktuar për të bërë iPhone-t, por Apple zgjodhi prodhimin e vet të furnitorëve dhe i ndihmoi të rriteshin në “super yje të prodhimit”.

Apple e hapi dyqanin e parë në Kinë në vitin 2008 në Pekin. Në atë vit u mbajtën edhe Lojërat Olimpike në vend dhe marrëdhënia e Kinës me Perëndimin ishte e lartë. Pas kësaj, kompania hapi edhe 50 dyqane të tjera. Teksa fitimet e Apple rriteshin, kështu ndodhte edhe me linjat e mbledhjes në Kinë. Foxconn drejtonte fabrikën më të madhe në botë të iPhone-ëve në Zhengzhou, i cili që prej asaj kohe mban nofkën “Qyteti i iPhone”. Për një Kinë që po rritej shpejt, Apple u bë simbol i teknologjisë së avancuar perëndimore.

Edhe sot shumica e këtyre celularëve prodhohen nga Foxconn. Çipët e avancuar që i furnizojnë ato prodhohen në Tajvan, nga prodhuesi më i madh botëror i çipëve, TSMC. Prodhimi kërkon edhe disa elemente të rralla që përdoren në aplikacionet e audios dhe kamerat.

150 nga 187 furnizuesit kryesorë të Apple në vitin 2024 kishin fabrika në Kinë.

Kërcënimi i tarifave, fantazi apo ambicie?

Në mandatin e parë të Trump, Apple siguroi përjashtim nga tarifat që imponoi mbi Kinën. Por këtë radhë, administrata e tij duket se ka mendje tjetër. Presidenti amerikan beson se kërcënimi për tarifat do të inkurajojë bizneset që t’i bëjnë produktet në Amerikë.

“Ushtria me miliona qenie njerëzore që vidhosin vida të vogla për të bërë iPhone, do të vijë në Amerikë”, tha Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick në një intervistë këtë muaj.

Ndërsa sekretarja për Shtypin Karoline Leavitt ripërsëriti se Trump e ka bërë të qartë se Amerika nuk mund të varet nga Kina për prodhimin e teknologjisë kritike si gjysmëkonduktorët, çipët, smartfonët apo laptopët.

Mendimi se Apple mund ta zhvendosë operacionin për “montimin” në SHBA është “fantazi e pastër” sipas Eli Friedman, i cili ka qenë këshilltar në kompani më herët. Ai tha se kompania ka folur gjithnjë për të diversifikuar zinxhirin e furnizimit nga Kina që prej 2013-ës, por Amerika nuk ka qenë kurrë një opsion.

Sfidat përpara

Çdo ndryshim i “status quo”-së së zinxhirit të furnizimit të Apple do ishte goditje për Kinën, që po përpiqet të marrë veten nga periudha post-pandemike. Arsyet e shumta pse vendi donte që të ishte qendër e prodhimit për kompanitë perëndimore janë të thjeshta; krijojnë me qindra mijëra vende pune, dhe i jep vendit një vend të posaçëm në tregtinë botërore.

“Apple ndodhet në mes të tensioneve SHBA- Kinë dhe tarifat theksojnë koston e këtij ekspozimi”, thotë Jigar Dixit, një konsulent i zinxhirit të furnizimit dhe operacioneve.

Kjo shpjegon edhe pse Kina nuk i është përulur Trump duke iu kundërpërgjigjur me tarifa 125% ndaj produkteve amerikane. Kina ka vendosur kontrolle edhe ndaj mineraleve të rralla dhe magneteve duke goditur SHBA-në. Nuk ka dyshime se tarifat amerikane do t’i godasin sektorët kineze.

Nuk është vetëm Pekini që përballet me tarifa të larta. Trump e ka bërë të qartë që do të shënjestrojë edhe pjesë të zinxhirit të furnizimit kinez. Për shembull Vietnami, aty ku Apple ka zhvendosur prodhimin e AirPod-save.

Por çfarë do të bëjë Apple?

Kompania po lufton konkurrencën e ashpër nga firmat kineze ndërsa qeveria nxit për prodhimin e teknologjisë së avancuar.

“Tashmë që Apple ka kultivuar aftësitë prodhuese kineze të elektronikës, Huawei, Xiaomi, Oppo dhe të tjerat mund të ripërdorin zinxhirin e forcuar të furnizimit të Apple”, sipas Lin.

Vitin e kaluar, Apple zbriti nga renditja si shitësi më i madh i smartfonëve në Kinë. Vendin ia morën Huawei dhe Vivo.

Apple është detyruar që të kufizojë edhe përdorimin e Bluetooth dhe Airdrop-it mbi pajisjet e saj pasi Partia Komuniste Kineze synoi të censuronte mesazhet politike që shpërndanin njerëzit.

Apple ka shpallur një investim 500 miliardë dollarësh në Amerikë, por kjo mund të mos e kënaqë Trump. Duke pasur parasysh kthesat e papritura dhe pasiguritë rreth tarifave priten ende befasi, të cilat mund t’i lënë kompanisë më pak hapësirë manovrimi./tvklan.al