Prokurorët shqiptarë marrin në pyetje Moisi Habilajn

Prokurorët shqiptarë marrin në pyetje Moisi Habilajn

19:33 30/05/2018

Prokurorët e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara morën në pyetje këtë të enjte, një pjesë të grupit të “Habilajve” që mbahen në Katania. Në seancën që zgjati rreth 3 orë u pyetën Moisi Habilaj, Nazer Seiti dhe Meridian Sulaj. Nuk bëhet ende e ditur se për çfarë janë pyetur anëtarët e bandës.

Prokurorët shqiptarë udhëtuan drejt Katanias pak ditë më parë për të hedhur dritë mbi lidhjet e mundshme mes grupit të Habilajve dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Përmes këtij udhëtimi synohet marrja e informacioneve të vlefshme për hetimet që kryen në Shqipëri.

14 anëtarët e bandës pritet të dalin të enjten përpara gjykatës. Seanca e parë do të jetë paraprake pasi të pandehurit do të njihen me akuzat dhe ata do të mbajnë një qëndrim për to. Ndërsa gjyqi në themel pritet të nisë disa muaj më vonë.

Saimir Tahiri u vu nën hetim nga Prokuroria shqiptare pasi publikimit të disa përgjimeve të vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, ku përfshihej edhe emri Saimir.

Prokurorët thonë se kanë prova për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës, pasi automjeti tip Audi të cilin ish-ministri tha se ua kishte shitur Habilajve, rezulton të jetë përdorur në disa udhëtime, me qëllim që të mos binin në gjurmët e policisë. Të hënën Saimir Tahiri u lirua nga “arresti i shtëpisë” për t’u gjykuar në gjendje të lirë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT