Prokuroria Themelore Publike ka marrë raportin e përkthyer të hetimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, i kryer nga ekspertët dhe hetuesit e Policisë Kriminalistike Federale të Gjermanisë, informojnë nga Prokuroria Publike. Tani pesë prokurorët që punojnë në këtë lëndë, e hapur për shkak të zjarrit të spitalin modular në Tetovë, kanë filluar ta analizojnë raportin me qëllim të vërtetojnë nëse dhe çfarë do të ndërmerret në drejtim të procedurës së mëtejshme.

-Raporti i ekspertëve gjermanë është përkthyer dhe i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike – Tetovë. Prokurorët kompetentë e analizojnë, ndërsa gjetjet do të krahasohen me provat tjera të grumbulluara në këtë lëndë. Në lëndë prokuroria vepron në mënyrë të përditësuar dhe thelbësore me qëllim që në detaje të vërtetohen të gjitha faktet për aksidentin. Në varësi të asaj çfarë do të vërtetohet, do të merret vendim i Prokurorisë Publike për veprim të mëtejshëm në lëndë, informojnë nga Shërbimi për marrëdhenie me publikun në Prokurorinë Themelore të Maqedonisë së Veriut.

Pas zjarrit në spitalin modular më 8 shtator të vitit 2021, kur jetën e humbën 14 persona, në hetime gjatë të njëjtit muaj morën pjesë edhe ekspertë dhe hetues nga Policia Kriminalistike Federale nga Gjermania. Raporti i tyre prej shtatë faqeve në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë ka arritur më 14 janar, por duke qenë se ishte në gjuhën gjermane, deri më tani është pritur përkthimi i tij adekuat.

Prokuroria në tetor të vitit 2021 njoftoi se sipas ekspertizës së MPB-së zjarri në spitalin modular ka qenë pasojë e kabllos vazhduese të ndezur, në të cilën ka qenë i kyçur defibrilatori – aparat për reanimacion, një karrikues telefoni dhe një pajisje tjetër.

Klan Macedonia