Prokuroritë e rretheve kanë kaluar në gadishmëri për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Me anë të një udhëzimi, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku kërkon edhe verifikimin e figurës së kandidatëve që votohen në këtë proces. Gjithashtu qëllimi i këtij udhëzimi është edhe marrja e masave ndaj personave që cënojnë zgjedhjet.

Udhëzimi mban datën 21 Qershor dhe ka mbërritur në të gjitha Prokuroritë. Prej orës 07:00 deri në 22:00 prokurorët dhe oficerët do të jenë në zyrë. Ndërsa pas kësaj ore do të mbajnë kontakte me policinë dhe për çdo situatë do të jenë të disponueshëm nëse prokurori do jetë i nevojshëm në vendin e ngjarjes. Në fokus të punës së Prokurorisë do të jenë dhe hetimet për shit-blerjen e votave dhe do të verifikohet çdo informacion i tillë.

Nga ana tjetër, 7 mijë efektivë policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, shumica prej të cilëvë janë trajnuar edhe nga ekspertë të OSBE-së. Me rëndësi ditën e zgjedhjeve për policinë do të jetë ruajtja e institucioneve të rëndësisë së veçantë, të cilat pritet të sigurohen me forcat Komando. Garda do të angazohet për ruajtjen dhe lëvizjen e personaliteteve në ditën e zgjedhjeve.

Tv Klan