Dhjetë prokurorët e Krimeve të Rënda  që refuzuan shortin për të marrë në dorëzim dosjen “Shullazi” përmes një letre letre publike drejtuar e degelacionit të Bashkimit Europian, përfaqësuesve diplomatikë të SHBA dhe misionit PAMECA, kanë sqaruar pozicionin e tyre dhe vendimin e kryeprokurores Arta Marku për të nisur procedim disiplinor ndaj tyre.

Prokurorët Olsian Çela, Përparim Kulluri, Arens Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beci, Sonila Muhametaj, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj dhe Behar Dibra, shkruajnë se nuk pranuan shortin për shkak se dosja ‘Shullazi’ ndodhet në fazën përfundimtare dhe jo në fazën e hetimit. Po kështu në letër thuhet se, në asnjë moment nuk është bërë i ditur urdhri për zëvendësimin e prokurorëve Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi së bashku me shkaqet ligjore përkatëse.

Sipas prokurorëve, hedhja e shortit cënonte parimet e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve dhe për këtë kanë refuzuar edhe hedhjen e shortit. Në mbyllje të reagimit thuhet se “cënimi i parimit të pavarësisë së prokurorëve, dëmton rëndë punën e këtij organi dhe ul besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë”.

Tv Klan