Mediat britanike duket se janë hedhur në aksion për të justifikuar veprimet e yllit të Kombëtares Angleze të Futbollit dhe klubit të Manchester United, Harry Maguire. Ky i fundit dhe miqtë e tij të cilët u përfshinë në një sherr në ishullin e Mykonos, kanë krijuar një alibi, sipas të cilës, disa shqiptarë i ngacmuan motrën futbollistit dhe ky ishte shkaku i sherrit.

Mbrëmë, Meguire doli në një intervistë për BBC, ku ndër të tjera ai justifikoi edhe veprimet e tij të dhunshme kundrejt policisë greke. Në intervistën për BBC, Maguire u shpreh se kishte menduar që ishte marrë peng nga “policë të rremë”. Për këtë arsye, ai dhe miqtë e tij dhunuan policët grekë.

Por këto deklarata të tij kanë marrë përgjigjen e merituar nga prokurori grek i çështjes, Ioannis Paradissis, i cili ka reaguar në rrjetet sociale pasi pa intervistën e futbollistit anglez në BBC.

“Maguire pretendon se kur ndaloi makina e policisë, nuk e dinte se ishte jashtë stacionit policor. Ka shumë makina policie të parkuara aty jashtë natën. Ka oficerë policie që hyjnë e dalin nga ndërtesa. E vetmja mënyrë për të mos kuptuar që ishte stacion policor, do të ishte vetëm nëse ka qenë shumë i dehur”.

Në gjyq, shoku i Maguire tha se personat me të cilët u konfliktuan fillimisht ishin shqiptarë, sipas të cilit, u munduan të hidhnin drogë në pijen e motrës së futbollistit. Por edhe mediat angleze publikuan një variant tjetër, sipas të cilave, një “gangster” shqiptar i ngacmoi motrën futbollistit.

Sërish, prokurori grek Ioannis Paradissis jep argumentet kundër alibisë së dobët të futbollistit anglez.

“Pse BBC nuk e pyeti më tej Maguire ku e dinte ai dhe shokët e tij që këta burra ishin shqiptarë? A është kapiteni i Manchester United ekspert për kulturën shqiptare? A flet ai shqip? Në intervistën e tij, Maguire nuk përmend asnjë shqiptar sikurse thanë në gjykatë shokët e tij. Përse? Përse tani historia e tyre u referohet vetëm dy burrave dhe nuk përmendin asgjë për shqiptarët? Përse gazetari nuk e pyeti për këtë? Tre policë u plagosën për shkak të sjelljes së tij. Një person i pasur erdhi në Mykonos dhe mendonte se mund të sillej si të donte. Më pas, shfaqet në një televizion ndërkombëtar për të justifikuar të gjitha veprimet e tij dhe nuk kërkon ndjesë për ato që ka bërë”.

Javën e kaluar, Maguire, vëllai i tij dhe shoqëria e tyre u përfshinë në një sherr me një grup tjetër në ishullin e Mykonos në Greqi. Pasi policia shkoi të ndalte sherrin, Harry Maguire, vëllai dhe shoku i tij ofenduan dhe goditën fizikisht policët. Edhe pasi u shoqëruan në komisariat, tre anglezët nuk ndalën ofendimet dhe goditjet fizike ndaj policëve grekë. Jo vetëm kaq, por Maguire tentoi t’u jepte rryshfet policëve për të mbuluar ngjarjen.

Gjykata greke e Shkallës së Parë dënoi Harry Maguire dhe shokët e tij me 21 muaj burgim për akuzat e rryshfetit, goditjet ndaj policëve dhe mosbindje. Prokurori deklaroi në gjykatë se alibia për shqiptarët që i kishin ngacmuar motrën ishte një histori e turpshme. Ndërsa, vazhdimisht ka përsëritur thirrjen që Maguire të kërkonte falje për veprimet e tij ndaj policëve grekë. Por kjo falje ende nuk ka ardhur.

Tre ditë pas vendimit të gjykatës, Apeli ktheu për rishqyrtim nga fillimi të gjithë çështjen ku është përfshirë Harry Maguire dhe miqtë e tij, çka do të thotë se futbollisti anglez është i lirë dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /tvklan.al