Sot ka qenë radha e prokurorit të Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj, për të dalë në seancë dëgjimore për rivlerësimin e figurës para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në raportin e ILDKPI, konstatohet se deklarimi i Dollapajt është i saktë, në përputhje me ligjin e nuk ka deklarim të rremë. Ka deklaruar një apartament në Tiranë prej 76 m2 të prindërve, një shtëpi banimi 112 m2 në vlerën 9 milionë lekë.

Prokurori Dollapaj ka një kredi prej 5 milionë lekësh të marrë nga BKT, një hua prej 4 mijë dollarësh nga motrat e tij në vitin 2006, e një vit më vonë, një dhuratë prej 3 mijë dollarësh nga motra. Në vitin 2010 një tjetër hua prej 25 mijë dollarësh nga kunati i tij. Prokurori ka një gjendje prej 972 mijë lekësh në bankë.

Për figurën DSIK në raportin e tij, e konsideron të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, pasi nuk ka kontakte me persona të inkriminuar. Sa i takon aspektit professional, prokurori Arben Dollapaj vlerësohet se ka aftësi në interpretimin e zbatimin e ligjit, ka aftësi shumë të mira drejtuese e organizative. Gjatë ushtrimit të detyrës nuk janë vërejtur shkelje, nuk ka pasur masa disiplinore, e ndaj tij nuk është regjistruar asnjë denoncim në KPK.

Prokurori Dollapaj i pranishëm në seancë, tha se i konsideronte të drejta konstatimet e KPK, por sqaroi se nuk kishte saktësuar pjesëtimin e sipërfaqes së banesës, për shkak se ende nuk ishte hipotekuar.

Lidhur me huanë e dhuratën monetare nga motrat në vitet 2006-2007, prokurori tha se nuk kishte paraqitur element përshkrues të procedurave, por thjesht ka shënuar adresat e banimit të tyre në SHBA. Prokurori kërkoi konfirmimin në detyrë bazuar në performancën e 25 viteve punë e ushtruar në 7 rrethe të ndryshme e duke i ka prekur të gjitha shkallët e prokurorisë./abcnews.al