KPK: Ka kryer fshehje pasurie dhe nuk justifikon të ardhurat, bilanc negativ prej 15 milionë

Sali Hasa është rasti i parë kur një prokuror përballet me procesin e vettingut ndërkohë që ndodhet me masë sigurie arrest me burg. Seanca në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u mbajt pa praninë e tij dhe të avokatit mbrojtës.

Është njohur me kërkesën e komisionit për shoqërimin e tij në seancën dëgjimore të ditës së sotme, por ka deklaruar se nuk mund të paraqitet në seancën dëgjimore duke paraqitur arsyen përkatëse”.

Hetimi ndaj prokurorit u fokusua vetëm në kriterin e pasurisë, ku për 12 të tilla ai ka një bilanc negativ prej 15 milionë lekësh. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se nuk ka bërë deklarime të sakta, nuk ka burime financiare, si dhe kryer deklarim të rremë.

Për një banesë në Kavajë të cilën e ka ndërtuar pa leje, Hasa nuk disponon dokumente ligjore që justifikojnë shpenzimet për ndërtimin dhe burimin e të ardhurave. Deklarime të rreme sipas KPK-së ka dhe për një apartament  në Durrës me sipërfaqe 163 m², por dhe në Sarandë me sipërfaqe 90 m², të cilat nuk janë përmendur në deklaratën vetting si dhe mbetet e pa qartë shlyerja e kësteve të kredisë.

Me dyshim është vlerësuar dhe dhurimi i një sipërfaqe toke prej 1000 m² në emër të dy fëmijëve të prokurorit, pasi dhuruesi nuk ka lidhje familjare.

Gjatë kohës që ka shërbyer si prokuror, Hasa ka patur në dispozicion 4 automjete. Dy prej makinave janë blerë me vlerë shumë të ulët nga 500 dhe 850 euro, ndërsa më pas janë shitur për 2200 dhe 400 mijë lekë të reja. Për këta dy raste prokurori pretendon se e ka marrë me çmim okazion. Trupa gjykuese çmon se ka dyshime për blerjen e automjeteve dhe nga analiza financiare ai nuk ka patur mundësi që t’i blejë.

Prokurori Hasa u arrestua në Qershor të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK ai dyshohet se i mori një shumë parash për të pushuar dosjen e një të pandehuri i cili akuzohej dhe ishte vënë nën hetim për plagosje. Vendimi për shkarkimin nga detyra do të jepet të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Klan News