Pas rrjedhjes së infomacionit në media për përgjmet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në ngarkim të 26 personave të akuzuar për trafik të narkotikëve në kuadër të grupit të struktuar kriminal, prokurori i çështjes Anton Martini ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të publikimit të çdo lloj akti të procedimit apo pjesë të arsyetimit të vendimit të masës së sigurisë.

“Më datë 07.05.2019, në një konferencë për shtyp së bashku me Policinë e Shtetit, informuam opinionin publik mbi rezultatet e hetimit në respekt të detyrimit për informim dhe transparencës së punës që zhvillojnë institucionet tona.

Sot më datë 08.05.2019, në disa media elektronike, konstatohet se referuar vendimit penal të arsyetuar me Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (vendim i cili u është vënë në dispozicion disa prej mbrojtësve të shtetasve të arrestuar nga sekretaria e gjykatës), po citohen pjesë nga bisedat telefonike të përgjuara, ku shtetasit nën hetim kanë zhvilluar me njëri – tjetrin, gjatë harkut kohorë Shtator 2018 – Maj 2019.

Si burim informacioni citojnë; “ kemi në dispozicion dosjen hetimore me përgjimet e kryera”, etj. Dosja hetimore, gjendet në zyrën e prokurorit dhe një kopje e saj në zyrën e gjyqtarit që ka caktuar masat e sigurimit personal dhe në asnjë rast në dispozicion të asnjë personi që ligji nuk e obligon.

Nisur nga fakti se publikimi i bisedave të përgjuara që gjenden në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, cënojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me proçedimin penal Nr.173, të vitit 2018, i cili nuk ka përfunduar akoma, ç`moj se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj  forme tjetër informacioni masiv”.

Prokurori ngarkon kordinatorin për median në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të merret me monitorimin e urdhrit dhe për këdo që publikon të dhëna nga dosja hetimore e këtij procedimi, prokurori Anton Martini i paralajmëron se do të përballen me përgjegjësi penale në bazë të nenit 295 të Kodit të Penal, që parashikohet burgim deri në 3 vjet.

Një ditë më parë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria në një konferencë për mediat bënë me dije se u arrestuan 26 persona në Shqipëri në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “Brezi i gjelbër”. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar mbi 1 ton kanabis dhe 1.2 kg heroinë e kokainë.

/tvklan.al