Beteja në Apel pas zbardhjes së vendimit

Vendimi i Gjykatës Penale të Tiranës nuk e mbyll përfundimisht çështjen e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria e Tiranës pritet që t’i drejtohet Gjykatës së Apelit. Burime nga organi i akuzës thonë se do ta apelojnë vendimin e gjyqtarit Lazer Sallaku, sapo ai të zbardhet.

Të hënën gjykata vendosi të pushojë hetimet për kryedemokratin Lulzim Basha dhe 2 ish-zyrtarët e tjerë të Partisë Demokratike, duke argumentuar se prokuroria nuk ka prova për akuzën e ngritur për falsifikim të formularëve.

Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha e ngritën akuzën nën pretendimin se Partia Demokratike nuk ka bërë deklarim të saktë në KQZ, të shpenzimeve të fushatës elektorale të vitit 2017.

Prokurori tjetër, Kol Hysenaj, kërkoi që hetimet të vijonin derisa të merrej në pyetje lobisti i Partisë Demokratike, Nik Muzin.

Hetimet nisën dy vite më parë, mbi dyshimet e revistës amerikane Mother Jones, se kompania amerikane Muzin Partners ishte paguar 675 mijë dollarë nga kompani offshore Biniata Trade me pronare rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tv Klan