Buxheti i 2019-ës duket se i ka lënë të kënaqur të gjithë institucionet kushtetuese, përveç Prokurorisë. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, përfaqësues të organit të akuzës kërkuan shtesë personeli, e përkthyer kjo në më shumë buxhet.

Pretendimi i ngritur nga përfaqësuesi i Prokurorisë nuk u prit aspak mirë nga relatori, Bashkim Fino.

Por nëse tek kërkesa e prokurorisë palët ishin në union, ajo që i ndau ishte një propozim i bërë nga kreu i Shkollës së Magjistraturës.

Sokol Sadushi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës: Kemi 4 vjet që e kërkojmë.Duam një makinë, jo për drejtorin, por për lëvizjes e stafit për trajnime dhe të bazës materiale dhe të eksperteve.

Bashkim Fino, Relator i buxhetit: Drejtori s’duhet te vinte fare. Të na dërgonte një letër falënderimi. Është e privilegjuar nga buxheti i shtetit. Unë do isha super i lumtur po të isha në vendin tënd për ato fonde që ke marrë.

Alket Hyseni, deputet i PS: Z. Fino ju jeni gjirokastrit, ministrin e kemi gjirokastrite, por vëreni dorën në zemër ju dhe Erjon Brace e gjejani lekët për një makinë Shkollës së Magjistraturës. Unë e njoh shkollën, ja njoh nevojat.

Buxheti i 2019-ës la të kënaqur edhe institucionin e presidencës, ndonëse ditët e fundit temperatura politike mes kryeministrit e kreut të shtetit ka ardhur në rritje.

Parimisht dakort me buxhetin ishte edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Tv Klan