47 procedime penale janë regjistruar nga Prokuroria e Përgjithshme për krimet zgjedhore. Denoncimet përfshijnë periudhën gjatë fushatës elektorale deri pas zgjedhjeve më datë 18 Maj.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 6 prej tyre me 4 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 1 procedim me 1 të pandehur është dërguar për gjykim.

Ndërkohë, në proces verifikimi paraprak janë 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 20 njoftime për veprat penale të krimeve zgjedhore.

Ndër to përfshihen pengimi i subjekteve zgjedhore, falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor, shkelja e fshehtësisë së votimit, votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar, korrupsioni aktiv në zgjedhje, përdorimi i funksionit publik për veprimt, korrupsioni pasiv në zgjedhje, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, pengimi i zgjedhësit etj.

Aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona. 

Përgjatë kësaj periudhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marë në total 142 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, prej të cilave 84 kallëzime në prokurori nga subjekteve politike/kandidatë, shtetas apo institucione shtetërore, 21 referime të policisë gjyqësore dhe 37 ardhur me transferim nga SPAK. /tvklan.al