Prokuroria bllokon një ndërtesë 8-kateshë, 1 apartament, 4 biznese dhe 1 sipërfaqe ndërtimi

Fatjon Murati është rikthyer sërish në vëmendje të mediave, pasi Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të 32 vjeçarit. Murati aktualisht është në qeli pasi u arrestua sepse ishte në kërkim për armëmbajte pa leje. Ai u arrestua të shtunën në makinën e blinduar të Endrit Dokles dhe kunatit të tij Gentian Reçi.

Në njoftimin zyrtar të prokurorisë thuhet se Murati ka qenë pjesë e një organizate kriminale që vepronte në shtetin Italian. Prokuroria thekson se  anëtarët e saj janë arrestuar nga policia italiane, ndërsa të tjerë janë të shpallur në kërkim.

Kjo organizatë është marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe trafikimin e lëndëve narkotike. Sa i përket pasurisë së Fatjon Muratrit, prokuroria kërkon sekuestrimin e një ndërtesë 8 katëshe me sipërfaqe 800 metër katrorë, në rrugën “Lord Bajron”, 1 apartament, 4 biznese dhe 1 sipërfaqe ndërtimi, të cilët rezultojnë në emër të Muratit dhe të familjarëve të tij, vlera e të cilave shkon rreth 5 milionë Euro.

Në bazë të rezultateve të hetimit Prokuroria thekson se pasuritë e paluajtshme të Fatjon Muratit dhe familjareve të tij dyshohet, se janë produkte të veprave penale ose i veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përshirë.

Hetuesit bëjnë me dije se kërkohet sekuestrimi për arsye se ka rrezik që posedimi i tyre mund të rëndojë pasojat e veprës penale për të cilën është regjistruar ky procedim penal, duke u tjetërsuar ose transferuar tek të tretët.

Përpara se të vihej në pranga Fatjon Murati ka dhënë deklarime në komisariatin e Krujës për masakrën e 3-fishtë tek mbikalimi i Fushë Krujës ku humbi jetën Brilant Martini, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Klan News